Gratë rrehen e dhunohen. S’kane kah me shkue!

Nga të dhanat zyrtare që ka sigurue Televizioni Rrokum, del se të drejtat e grues ende janë larg standardeve të dëshirueme, ndonëse ato janë të rregullueme me ligj.

Dhuna ndaj grave asht nji shkelje e madhe, dhe në Kosovë ka shumë e ma shumë raste të dhunës ndaj grave, por në institucione paraqiten vetëm ato ekstreme.

Kështu thotë për Televizionit Rrokum, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala.

Simbas Shalës, rastet e dhunës në familje duhet me qenë nën përkujdesje institucionale, dhe përgjegjesia kryesore me i ra institucioneve shtetnore, mbasi këto të fundit kanë buxhet për me ba nji gja të tillë.

Nga ana tjetër, Koordinatorja e programit në fondacionin gjerman FES, Besa Luzha, për Televizionin Rrokum tha se shteti duhet me sigurue nji asistencë sociale të veçantë për gratë që janë viktima të dhunës në familje.

Simbas Luzhës, faktori ekonomik asht njana prej arsyeve kryesore për mosraportim të dhunës, mbasi gratë nuk kanë nga me ja mbajtë.

Ndërsa në Policinë e Kosovës rastet e dhunës në familje janë raportue qe nga viti 2010 dhe vetëm në gjatëmujorin e parë të 2015 janë raportue afër 500 raste.

Të dhanat tregojnë se me tana kërkesat që grueja të jetë e barabartë në shoqni, ajo në raste të shumta asht edhe viktimë e dhunës familjare dhe as guxon me raportue dhunën që i bahet.