Greqia shpëton për 3 vota: Miliardë euro ndihma

Me vetëm 3 vota ma shumë, Kryeministri Alexis Tsipras ka fitue mbramë nji betejë të randë në parlamentin grek, për me i sigurue vendin këstin e radhës prej 5.4 miliardë eurosh të kredisë 95 miliardë eurosh nga Eurogroup’i, për të cilën pritet që të Martën me u diskutue ng Ministrat e Financave të Bashkimit Europian. Shumica Qeverisë ia ka dalë me marrë mbështetjen e 153 nga 300 deputetët e parlamentit, për reformën e pensioneve dhe atë fiskale, të propozueme nga Kryeministri Alexis Tsipras.

Po bajmë të pamundunën për me ngritë vendin në kambë. 90 % e paketave të sigurimit shëndetësor nuk preken nga këto masa. Kemi zhvendosë peshën e krizës nga shpina e të papunëve dhe e të moshuemve për te ata që munden me pague paksa ma shumë, – tha Tspiras.

Por këto fjalë të Kryeministrit u hodhën poshtë si mashtrime nga lideri i partisë opozitare Nea Demokratia, Kyriakos Mitsotakis, i cili kërkoi zgjedhje të reja, i sigurt se simbas sondazheve, ka me i fitue ato.

Masat e shkurtimeve që morën miratimin e parlamentit, parashohin rritjen e taksave direkte e indirekte deri në 3.6 miliardë euro dhe rritjen e TVSH’s nga 23 në 24%.

Projektligjet e reja parashikojnë nji pension prej 384 eurosh për ata që kanë 15 vite punë kur mbushin 67 vjeç; ndërsa pensionet ma të naltë nuk mundet me qenë ma shumë 2.300 euro. Po ashtu, parashihet edhe rritje e kontributeve për punëdhanësit dhe nëpunësit. Megjithatë, ndërhymjet nuk prekin pensionet minimale.

Ndërkaq, në sheshin Stigmata para parlamentit në Athinë, por edhe në disa qytete të mëdha greke, dheta mija protestues janë përleshë me policinë për me kundërshtue masat e rrepta ekonomike të Qeverisë.

Shisheve me molotov, policia i asht përgjigjë më gaz lotsjellës, por nuk ka raportime për të plagosun.

Protestat kanë vazhdue edhe gjatë ditës së sotme.