Grupi i ekspertëve të pamvarun: Komisioni shtetnor deshtoi me argumentue kufinin me Malin e Zi

Grupi i ekspertëve të pamvarun përmes nji komunikate për media ka theksue edhe nji herë se kufini me Malin e Zi bje ndesh me interesat e vendit.

“Më datën 3 Gusht 2016, na jemi përgjigj ftesës për me kontribue në sqarimin e problemit të humbjes së territorit të Kosovës përmes demarkacionit me Malin e Zi.

Në atë takim, komisioni shtetnor dhe qeveria nuk patën përgjigje për shume çashtje të cilat këtë proces e karakterizojnë si jo të rregullt dhe të kontestuem.

Përcaktimi i nji vije të re kufitare mes Kosovës dhe Malit te Zi, e ndryshme nga ajo e vitit 1974-1988, jo që bje ndesh me vetë mandatin e këtij komisioni, por ky kufi nuk asht argumentue me asnji kriter”, thuhet në komunikatë.

Kjo asht komunikata e plotë:

Të nderuar qytetarë të Kosovës
Ne, grupi i ekspertëve të pavarur me angazhimin tonë profesional jemi munduar që qytetarëve të vendit dhe deputetëve të ju sjellim sqarimet e nevojshme profesionale për procesin e demarkacionit me Malin e Zi. Këto sqarime kanë qenë të nevojshme duke marrë parasysh jo transparencën e këtij procesi nga ana e Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe qeverisë.

Ne nuk jemi palë interesi në këtë debat shoqëror, por natyrisht që e ndjejmë obligim intelektual dhe qytetar të reagojmë për të gjeturat e këtij procesi, të cilat bien ndesh me interesin e vendit.
Më datën 3 Gusht 2016, ne jemi përgjigjur ftesës për të kontribuar në sqarimin e problemit të humbjes së territorit të Kosovës përmes demarkacionit me Malin e Zi. Në atë takim, komisioni shtetëror dhe qeveria nuk patën përgjigje për shume çështje të cilat këtë proces e karakterizojnë si jo të rregullt dhe të kontestuar.
Përcaktimi i një vije të re kufitare mes Kosovës dhe Malit te Zi, e ndryshme nga ajo e vitit 1974-1988, jo që bie ndesh me vetë mandatin e këtij komisioni, por ky kufi nuk është argumentuar me asnjë kriter.

Kjo argumentohet edhe me faktin se as kriteri kadastral nuk është respektuar nga ana e këtij Komisioni, sepse nuk ka përputhje te hartave kadastrale nga njëra ane dhe tjetra. Gjithashtu me datën 3 Gusht 2016, nuk është dhënë përgjigje në zotimet nga komisioni, se përgjatë gjithë vijës kufitare, palët kanë ofruar harta kadastrale dhe dokumente përcjellëse.
Përputhja e vetëm një parcele kadastrale nga njëra anë dhe tjetra, përgjatë kufirit 80km mes Kosovës dhe Malit te Zi nuk u dëshmua as në konferencën e datës 9 Gusht 2016, që Komisioni shtetëror u mundua të paraqes si argument shtesë. Paralajmërimi se do të ofrojnë argumente shtesë për përputhjen e të dhënave kadastrale nga ana Malazeze nuk u arrit.

Të gjitha të dhënat që u ofruan në këtë konference janë dokumente jo relevante për kufirin, sepse nuk u paraqit asnjë dëshmi për vijën kufitare por për thellësinë territoriale të Malit të Zi dhe Kosovës. Të dyshimta ishin edhe argumentet për shfrytëzuesit e kullosave, ku nuk u argumentua se për cilat vende-kullosa bëhej fjalë, kur dihet fakti që qytetarët kërkesat e tyre i kanë drejtuar për të shfrytëzuar kullosat të cilat gjinden në anën tjetër të kufirit përkatësisht në territorin Malazez.