Grupi i Kumanovës: Kush e thotë të vërtetën rrezikon me u likuidue

Shokë dhe familjarë të Sevdail Miftarit tuten se zullumi ndaj tij asht shtue mbasi ka folë në seancën gjyqësore.

“Kemi frigë se munden edhe me likuidue, sepse në gjykatë e tha realitetin që nuk i pëlqen policisë dhe qeverisë”, kanë deklarue për Gazetën Lajm disa shokë të Sevdailit.

Avokati Naser Raufi thotë se klientët e tij, që janë pjesë e Grupit të Kumanovës, vazhdojnë të keqtrajtohen. Ai thotë se njani prej tyne, Sevdail Miftari nga Kumanova, i ka dy kambët e thyeme dhe asht në gjendje të randë, tue u trajtue nga ambulanca e burgut.

“Prej fillimit të këtij procesi, prej ditës së parë të arrestimit të këtyne të akuzuemve asht përdorë dhunë, e cila po përdoret deri në ditët e sotme. Kjo e fundit asht ndaj Sevdail Miftari, i cili gjendet në burgun e Shkupit dhe unë sot e vizitova këtë të arrestuem. I kishte të dy kambët e thyeme prej dhunës d.m.th prej njësive speciale, prej nji polici praktikisht, dhe asht i rrahun në vetë gjykatën, d.m.th para se të bahet transporti në burgun e Shutkës”, tha Raufi.