Hahn: Isha i premë me opozitën: Pa demarkacion nuk hiqen vizat

Paqësore. Kështu e përshkroi Johannes Hahn atmosferën e takimit mes liderëve të pesë partive kryesore në vend, të mbajtun sot në sallën aletarnative të Kuvendit të Kosovës.
Tue folë për mediat mbas takimit me Kadri Veselin e PDK’s, Isa Mustafën e LDK’s, Visar Ymerin e VV’s, Ramush Haradinajn e AAK’s, e Jakup Krasniqin e NISMA’s, por edhe Përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë, Samuel Zbogar, Hahn dha këtë mesazh për partitë e opozitës:

“Opozita duhet me u ulë e me bisedue bashkarisht. Pamvaresisht se ka nji shumicë të konsolidueme në Kuvend, asht e udhës që Qeveria me ndigjue zanin e opozitës. Nga ana tjetër, edhe opozita duhet me e respektue rezultatin e zgjedhjeve, që e ka çue Qeverinë në nji maxhorancë të fortë. Megjithatë, në demokraci gjithkush ka të drejtë me kontribue, por vetëm tue e respektue zanin e votuesve. Ka edhe nji mundësi tjetër, e këto janë zgjedhjet e ardhshme, e atëherë kemi me pa se si kanë me u zhvillue gjanat”.

Ma tej, Hahn tha se dëshiron me i pa të gjitha partitë politike të fokusueme te perspektiva europiane e vendit.

Ai theksoi se ua ka ba të qartë liderëve, se duhet me e kapë momentin e madh për Kosovën, zhvillimet pozitive për të cilin priten mbrenda dy muejve të ardhshëm.

“Në demokraci asht e nevojshme me pasë kompromis, e ai asht që palët e ndryshme me i kontribue çashtjes, në mënyrë që me pasë nji rezultat të përbashkët. Kjo don me thanë se secila palë mundet me e gjetë veten në rezultatin final. E kjo asht diçka për të cilën kemi ende me punue”, tha ai.

Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjanimin, Johannes Hahn ishte konkret kur tha se pa ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, liberalizimi I vizave nuk hyn në fuqi.

Isha shumë i qartë me liderët në lidhje me kushtet, se pa zgjidhjen e kësaj çashtjeje nuk ka liberalizim të vizave. I ftova të gjitha partitë politike që me marrë pjesë në nji debat konstruktiv për të mirën e vendit. Bashkimi Europian, përfshi mue personalisht, si dhe Përfaqësuesin Special në Prishtinë, jemi gati për me lehtësue, për me asistue. Por vendimi final duhet me u marrë nga autoritetet këtu, në Kosovë, – theksoi Hahn.

Hahn tha se shpreson se që vendi me pasë histori të tjera suksesi, por për këtë, theksoi eurokomisioneri, duhen marrë vendime të shpejta për të mirën e vendit, e që dëshirohen nga qytetarët.

Ky ishte takimi i parë i liderëve të partive politikë që nga 8 Frori, kur i vetmi nga opozita që shkoi në tryezën e thirrun në mënyrë të përsëritun nga Presidentja e Republikës, ishte kryetari i AAK, Ramush Haradinaj.

Mbetet me pa nëse tri partitë e opozitës, VV, AAK e Nisma kanë me reflektue mbas këtyne qëndrimeve të preme të Komisionit Europian për kushtëzimin e liberalizimit të vizave me Demarkacionin, tue marrë pjesë në dy seancat e Kuvendit për këtë muej.

Seanca e parë asht të Mërkurën në orën 10:00, e tjetra me 25 Maj, mirëpo edhe pse ratifikimi i Demarkacionit nuk asht në rendin e ditës, shumica e ka lanë të hapun mundësinë e përfshimjes së saj, ndërsa opozita ka deklarue se nuk ka me lejue faljen, simbas saj, të rreth 10 mijë hektarëve tokë Malit të Zi.