Hahn, qe ku i pret nesër liderat e Maqedonisë

shpijaeuropa

Euro-komisari për negociata për zgjanim, Johannes Hahn, së bashku me tre euro-deputetët Eduard Kukan, Richard Howitt dhe Ivo Vajgl, nesër në terren shtëpiak në kryeqendrën austriake, Vjenë, do ti pret katër liderat politik të Maqedonisë, Nikola Gruevski, Zoran Zaev, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti, në nji raund të ri bisedimesh për zgjidhje të krizës politike në Republikën e Maqedonisë.

Sikur njoftohet nga Brukseli, me fillim n’ora 11:00, Hahn nesër do të jetë nikoqir i liderave të VMRO-DPMNE, LSDM, PDSH dhe BDI, në të ashtuquejtunën “shtëpia e Bashkimit europian” në Vjenë, e cila gjendet në rrugën “Wipline strasse” n’afërsi të qendrës së kryeqytetit austriak.

Edhe pse Bashkimi Europian ka delegacionin e tij pranë OSBE’s dhe Kombeve të Bashkueme në Vjenë, Hahn dhe deputetët europian Kukan, Howitt dhe Vajgl, e kanë zgjedh shtëpinë e BE’s si nji Przino e re.
Fjala asht për nji ndërtesë bashkëkohore e mbulueme tanësisht me qelq dhe quhet e tillë sepse në të janë të vendosuna zyrat e Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian.

Edhe pse lideri i LSDM, Zoran Zaev e kushtëzoi praninë e tij në këto bisedime me dy kushtet që deri më tash nuk janë plotësu, nesër pritet të mbahet ky takim edhe përkundër asaj që askush nga Komisioni Europian, e as nga Parlamenti Europian nuk e pohon nji gja të tillë.

Sidoqoftë, në Vjenë tashma asht tue u përgadit salla e takimit për zgjedhjen e krizës politike në Maqedoni.

Jo zyrtarisht mesohet që ndërmjetësit europian presin që të gjithë të ftuemit të marrin pjesë në takimin e liderave e cila ka gjasë të mbahet edhe pa praninë e ndonjanit prej tyne.