Haradinaj kërkon privilegje për 111 deputetëve të 2 Korrikut 1990

Kryetari i AAK’s, Ramush Haradinaj, përmes nji kumtese, në lidhje me Deklaratën e 2 Korrikut të vitit 1990, kërkon që 111 deputetët e asaj kohe të gëzojnë statusin e deputetit dhe privilegjet me këtë statut.

Ky asht postimi i Haradinajt:

Deklarata e 2 Korrikut është historike

Deklarata e 2 Korrikut të vitit 1990, është njëra prej ngjarjeve më domethënëse në rrugëtimin e Kosovës, drejt pavarësimit të saj.

111 deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, në rrethana të jashtëzakonshme, miratuan një deklaratë, me të cilën e shpallnin Kosovën, njësi të barabartë në federatën apo konfederatën jugosllave, dhe ky ishte hapi i parë institucional drejt pavarësimit të Kosovës.
Prandaj kjo datë renditet lartë në kalendarin e datave historike, dhe e meriton gjithë respektin, por edhe vendin që i takon në historinë më të re të shtetit të ri të Kosovës.

111 deputetët shqiptarë, dhe të tjerë nga radhët e pakicave jo-serbe, me aktin e tyre treguan pjekuri dhe përgjegjësi të lartë politike, në raport me proceset që po kalonte Kosova, në kontekstin e atëhershëm kohor.

Të gjithë ata, pa përjashtim, duhet ta gëzojnë statusin e deputetit dhe të gjitha privilegjet që shkojnë me këtë status. Shteti dhe shoqëria e Kosovës, duke e njohur statusin e tyre, e njohin historinë e vet dhe rolin që pati ky brez i deputetëve në rrugëtimin e vështirë e të gjatë të Kosovës për pavarësi.
Ky është obligim yni. RH