Haradinaj: Mbas proceseve gjyqësore, lufta e UÇK’s ka me dalë edhe ma e pastër!

Kreu i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës Ramush Haradinaj, konsideron se vlerat e luftës dhe UÇK’ja, janë të pakontestueshme, të pamohueshme dhe janë bazament i lirisë së Kosovës.

 

Kjo asht deklarat e tij e dergueme për media:

 

Konsideroj se vlerat e luftës dhe UÇK-ja, janë të pakontestueshme, të pamohueshme dhe janë bazament i lirisë së Kosovës. 

UÇK-ja, ka bërë luftë çlirimtare dhe të drejtë, dhe përpjekjet për të demonizuar këtë luftë, i konsideroj përpjekje të orientuara kundër Kosovës dhe lirisë së saj. 

Aktakuzat eventuale ndaj ish drejtuesëve apo ish-pjesëtarëve të UÇK-së, nuk guxojnë të shndërrohen në një front për goditjen e vlerave të luftës dhe UÇK-në, si shtyllë kryesore e kësaj lufte. 

Prandaj unë dhe AAK si strukturë politike, jemi për shtet ligjor dhe për bashkëpunim pa kushte me drejtësinë, për zbardhjen e të gjitha krimeve të pretenduara, qoftë para, gjatë, apo pas luftës në Kosovë. 

Nëse shqetësimi se drejtësia në Kosovë është e kapur është i bazuar,  Shteti edhe mund të ndërhyjë në krijimin e një sistemi të pavarur të drejtësisë, por jo të ndërhyjë në vet sistemin gjyqësor. 

Moskrijimi i një sistemi efikas gjyqësor në Kosovë, është përgjegjësi e institucioneve të shtetit, ndërsa ndikimet në këtë sistem të drejtësisë, kanë imponuar projektet ndërkombëtare për krijimin e gjykatave të specializuara, apo edhe të mekanizmave të tjerë jasht sistemit të  gjyqësor të Kosovës.

Pavarësisht zhvillimeve rreth kësaj çështjeje, unë shpreh bindjen time të plotë, se lufta e fundit e një populli për liri dhe e UÇK-së si prijëtare e saj, pas këtyre proceseve do të dalë më e pastër dhe më e shenjtë!