Haradinaj: Opozita mbetet e bashkueme. Shihemi më 26 Mars në Prishtinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj mbas veprimeve të sotme të opozitës në Kuvendin e Kosovës, ka thanë se tri subjektet opozitare vazhdojnë të jenë të bashkueme si ma parë.

Ai në nji postim në rrjetin social Facebook ka shkru se opozita ka me vazhdue të jetë bashkë në rrugëtimin për moslejimin e shtetit nga si ka thanë ai, ky grup njerëzit që e kanë kap shtetin.

Lexoni postimin e plotë të Haradinajt në Facebook:

Të dashur qytetarë,

Vendimi i sotëm i deputetëve të Opozitës, është pasojë e veprimeve dhe qëndrimeve të papërgjegjshme të klasës politike, e cila po vazhdon ta qeverisë vendin në mënyrë antikushtetuese.

Dy marrëveshjet më të cilat është shkelur edhe Kushtetuta e Kosovës edhe është rrezikuar sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit, nuk do të mund të kalojnë.

Ne do të vazhdojmë të jemi Opozitë e Bashkuar, që nuk do të lejojë vazhdimin e kapjes së shtetit.

Do të jemi të palëkundur që në aleancë me qytetarin dhe me përfaqësuesit e përgjegjshëm politik të këtij vendi, të mos lejojmë që një grusht njerëzish, të vendosin për fatin kolektiv dhe do të jemi të vendosur që mandatin se si të qeveriset ky vend, ta kthejm te ju, te qytetari.

Do të jemi bashkë në këtë rrugëtim. Mbështetja për një shtet të së drejtës e pa korrupsion, po rritet. Shihemi me 26 Mars në Prishtinë!
RH