Haradinaj s’duron ma: Shpallë protestën me 14 Maj

Anulimi i protestës së 26 Marsit gjithnji e ma shumë duket se ka qenë fundi i opozitës së bashkueme, sepse pamvarësisht konsultimeve të vazhdueshme, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpalli sot 14 Majin si datën e mbajtjes së protestës së ardhshme kundër Qeverisë.

Por kjo protestë e thirrun nga AAK’ja nuk asht e opozitës së bashkueme.

Në deklaratën zyrtare të Aleancës, thuhet se AAK ka me u konsultu edhe me partitë tjera opozitare dhe me shoqninë civile e me grupet e interesueme, në mënyrë që protesta me qenë sa ma e fuqishme.

Ky vendim asht marrë mbas diskutimeve me të gjitha forumet e AAK’s dhe nji përcaktimi të palëkundun, që me u vazhdue me kundërshtimin e kapjes së shtetit.

Në fund, komunikata e AAK’s thotë se protesta e 14 Majit, ka me qenë e qetë dhe paqësore!

Mirëpo i menjihershëm ka qenë reagimi i Lëvizjes Vetëvendsoje. Zadhanësi, Frashër Krasniqi ka shkrue se VV nuk ka qenë e njoftueme për datën e protestave, madje simbas tij, as nuk asht diskutue kjo në takimet që kanë mbajtë 3 partitë opozitare.

Edhe pse e pranon se Kosova ka nevojë për protesta, Krasniqi thotë se ato duhet me qenë të organizueme mirë dhe me u mbajtë në kohën e duhun. Ai shton se veprimet e pakoordinueme rrezikojnë përpjekjen opozitare.

Ndërsa sekretari i Nismës për Kosovë, Billall Sherifi i tha Televizionit Rrokum përmes telefonit se ata ju përgjigjjen pozitivisht çfardo iniciative që tenton me detyrue këtë Qeveri me dhanë dorëheqje, andaj kanë me qenë s’bashku me AAK’n atë ditë në shesh. Ai gjithashtu ka konfirmue se nuk e di nëse VV ka me marrë pjesë në këtë protestë, megjithatë pret që VV me iu bashkangjitë.