Homazhe për Helmut Kohl, qytetar nderi i Europës

Bashkimi Europian zhvillon sot nji homazh të pazakontë për ish-kancelarin gjerman, Helmut Kohl, i cili vdiq më 16 Korrik në moshën 87-vjeçare, me nji ceremoni të organizueme n’ambientet e Parlamentit Europian në Strasburg.

Bashkimi Europian do të jetë në zi të dyfishtë edhe mbas vdekjes së Simone Veil, e para Kryetare e Parlamentit Europian dhe nji europianiste e madhe.

Ma shumë se 40 delegacione priten në Strasburg. Pjesa ma e madhe e drejtuesve europianë do të jenë të pranishëm.

Britanikja, Theresa May konfirmoi dje pjesëmarrjen e saj. SHBA ka dërgue ish-Presidentin Bill Clinton dhe delegacioni rus do të drejtohet nga Kryeministri, Dmitri Medvedev.

Gjithashtu priten të marrin pjesë Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyau dhe Presidenti ukrainas, Petro Porochenko.

Ceremonia ka me zgjatë dy orë. Më pas trupi i ish-kancelarit do të transportohet menjiherë në Spire, në Gjermani, ku do të varroset.

Bashkëshortja e tij ka refuzue funerale kombëtare.

Ideja për nji homazh europian erdhi nga Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, 62 vjet.

Luksemburgezi asht i vetmi drejtues europian ende në funkcion që e ka takue rregullisht Helmut Kohl.

Kancelari ishte afekcionue me Kryeministrin e ri, në atë kohë 41 vjet, të cilin e kishte quejt “junior”.

Asht hera e parë në histori që Bashkimi Europian organizon nji homazh të tillë.

Ai nderon nji prej tre drejtuesve që kanë marrë titullin “Qytetar nderi i Europës”.