Hoti e Hamza me FMN diskutuen edhe për listën e veteranëve!

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili po udhëheq delegacionin e Kosovës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botnore (BB), ka diskutue me përfaqësuesit ma të naltë të institucioneve në fjalë për pagesat e veteranëve të Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, ministri Avdullah Hoti bashkë me guvernatorin e Bankës Qendrore, Bedri Hamza, dhe delegacionin e Kosovës, u takuen në Washington me zavendësdrejtorin menaxhues të FMN’s, Tao Zhang, drejtorin për Europë të FMN’s Paul Thomsen, drejtorin ekzekutiv, Ibrahim Canakci, si dhe përfaqësues të tjerë të FMN’s.

Në këto takime u diskutue për nji numër çashtjesh, tue perfshi progresin e arritun në implementimin e Programit Stand-By, si dhe hapat që duhet të ndërmerren për me përmbyll këtë program me sukses.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësuen arritjet e deritanishme, dhe u zotuen për me vazhdue edhe ma tutje me përkrahjen e reformave në Kosovë.

Nji çashtje që u diskutue në të gjitha takimet me përfaqësuesit e FMN’s ishte ajo që lidhet me veteranët e luftës dhe nevojën mjaft urgjente që skema e pensioneve për këtë kategori me u reformue sa ma shpejt, për t’u sigurue se kjo skemë asht e qendrueshme në periudhën afatgjate.