Hoxhaj: Qëllimet dhe gjuha e VV’s nji fashizëm politik

Ish ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Lëvizjes Vetëvendosjes ku ai i ka quejt shpifje dhe fashizëm politik.

Përmes nji shkrimi në Facebook, Hohaj e ka publikue edhe nji marrëveshje të nënshkrueme mes Luksemburgut dhe Kosovës në 2009’n, pra jo gjatë mandatit të tij, qysh pretendon VV.
Reagimi i plotë i Hoxhajt për media:

Në funksion të përgjegjësisë publike ndaj qytetarëve dhe mbrojtjes së dinjitetit tim, jam i detyruar të reagoj ndaj shpifjeve qëllimkëqija që erdhën sot në adresën time nga zyrat e një partie politike, që vetëm asgjë politike nuk i ka mbetur.
E pavërteta e parë është viti dhe përmbajtja e marrëveshjes që i referohen. Marrëveshja “Programi i mbështetjes së shëndetësisë në Kosovë, me shifrën KSV /014” është nënshkruar në vitin 2009, nga ish ministri i atëhershëm i shëndetësisë dhe dekretuar nga ish Presidenti. Kjo nuk ka të bëjë asgjë as me mua as me mandatin tim si ministër i Jashtëm. (Për hir të transparencës, gjeni të bashkangjitur marrëveshjen origjinale).
E pavërteta dytë, vjen nga fakti që lëvizja Vetëvendosje e ndërlidh emrin tim si ministër i punëve të Jashtme me marrëveshje të nënshkruara nga Ministria e Shëndetësisë, për çka edhe në vetë reagimin e tyre përmendet “marrëveshja e tetorit 2012 e nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë”.
E pavërteta e tretë është ndërlidhja tendencioze që i bëjnë emrit të Ymer Shahinit me aktivitetin tim publik e politik për një marrëveshje të cilën as që e kam nënshkruar. Me një të lexuar në internet, e mëson se PRINTEC është kompani ndërkombëtare, dhe personi i lartpërmendur asnjëherë nuk ka qenë pronar apo aksionar i të njëjtës.
Ndjej keqardhje që për qëllime të ulëta politike përmendet emri i një shteti mik, Mbretëria e Luksemburgut që e ka ndihmuar dhe vazhdon ta ndihmoj Kosovën në të gjitha drejtimet.
Konferenca e sotme për shtyp, gjuha e tyre dhe qëllimet nuk janë asgjë tjetër vecse një fashizëm politik, i cili në mungesë të fakteve e ideve përpiqen të njollosin dinjitetin e gjithësecilit kundërshtar politik.