I kthyemi nga Siria: Rrefen për shqiptarët që luftojnë atje, mes tyne 44 gra dhe 28 femi

Që nga viti 2012 e deri sot, 314 shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve 44 gra dhe 28 femijë, kanë shkue në Siri, tue ju bashkue fillimisht grupeve opozitare që luftonin kundër qeverisë së presidentit sirian, Bashar Al Assad, e më pas edhe grupeve ekstreme si Shteti Islamik.

Simbas autoriteteve, 110 prej tyne janë kthye në Kosovë, kryesisht të zhgënjyem më atë që kishin pa dhe përjetue atje.

Nji prej të kthyemve ka rrëfye për Zanin e Amerikës eksperiencën e tij në Siri.

Mbas ma shumë se 3 muejsh, Nori asht kthy në shtëpi. Ai thotë se anëtarët e opozitës i kthyen pasaportën, të cilën ja kishin marrë me të hy në Siri.

Nori asht intervistue nga policia, menjiherë mbas kthimit në Kosovë, dhe më pas qendroi për nji vit në shtëpi në përpjekje për me u riintegrue.

Ai asht arrestue dhe gjykue, ndërsa tashma shkon çdo ditë në punë, ndërsa asht në pritje të vendimit të gjykatës për të.

Ai thotë se asht i gatshëm me mbështetë institucionet shtetnore e fetare për me shpjegue realitetin në Siri, dhe për me parandalue shkuemjen e Shqiptarëve në atë zonë.

“Çdo vend, çdo grup, çdo fe ka grupe të devijueme dhe ato janë shumë ekstreme, shumë të këqija sa që e bajnë rrugën me lule, por në fund e ke ferrin”, shprehet ai.

 

Ky asht rrefimi i shqiptarit që për arsye sigurie nuk i publikohet identiteti, por thirret Nori

Kur filloi pranvera arabe, e pashë që vuanin shumë njerëzit, civilët. Unë e lidha me jetën time kur isha në luftë. Isha një djalosh i ri dhe kisha vuajtjet e mia që i kisha përjetuar në luftën e Kosovës. Dhe e pashë sikurse që kanë ardhur të na ndihmojnë neve këtu në Kosovë, si OSBE-ja, si KFOR-i që na ka çliruar. Mendova të bëj një vepër humane, që të shkoja dhe unë për të ndihmuar popullin e Sirisë.

Ka qenë vendim pak si mysliman, pasi nuk do të shkoja në një shtet tjetër, sepse nuk na lidh asgjë, si për shembull në ndonjë shtet jashtë Evropës, se me siguri me shtetet e Evropës më lidh diçka se është në Evropë, ndërsa jashtë Evropës nuk më lidh asgjë tjetër përveç besimit. Ka qenë sepse janë myslimanë dhe i kanë traditat pak të njëjta, aty ka qenë qëllimi. Nëse për shembull në ndonjë vend si Krimeja (Ukrainë), apo ndonjë vend tjetër që bëhet luftë, nuk do të thotë që mua nuk më dhimbset popullata.

Nuk kanë qenë të rëndësishëm shqiptarët, nuk kanë pasur emër të caktuar apo të mëdhenj. Nuk kanë patur ndonjë pozitë të lartë udhëheqëse, por ishin në formim e sipër. I pashë idetë e tyre, bënim debat dhe ndonjëherë më ngacmonin sepse nuk përshtateshim me ide. Unë u thosha se gjërat që po ndodhin këtu nuk mund ti pranoj, ndërsa ata më thoshin se kështu është më mirë, se kështu fitohet kundër Assadit.

Për sa kam qëndruar aty kam parë fëmijë shqiptarë dhe ndoshta kanë qenë gra pa burra, se ta zëmë ishte vrarë ndonjë më herët. Edhe i pyeta përse nuk i dërgoni në Kosovë ose në Shqipëri, te familjet e tyre, se të paktën ata mund të kujdesen më mirë. Kanë qenë të ndrojtur dhe nuk kanë patur mundësi të kthehen fëmijët dhe më ka mbetur në mendje. Kur të gjithë sirianët largoheshin, gratë dhe fëmijët shqiptarë qëndronin aty. Kjo më ka mbetur në zemër si dhimbje.