Imami Enver Rexhepi: Qe si më kërcënoi Zekeria Qazimi

“Erdhën në emën të ndihmës” thotë Enver Rexhepi, nji imam i moderuem për New York Times. Rexhepi, nga Gjilani tregon nji ngjarje të vitit 2004, kur u kërcënue nga nji i ri vehabist, Zekeria Qazimi, nji ish student i Medreses.

Mbrenda në xhami, Rexhepi kishte shpalosë prej kohësh nji flamur shqiptar. Shqiponja me dy krena në flamurin kuqezi ishte edhe simboli i luftës çlirimtare të Kosovës.

Por, fundamentalistët e konsiderojnë “idhujtari” vizatimin e çdo qënie të gjallë. Zekeria Qazimi e kishte shkulë flamurin dhe e kishte hedhë poshtë. Enver Rexhepi e kishte varë përsëri në mur.

“Nuk ka me gjatë shumë kjo”, kishte thanë agresiv, Qazimi.

Disa ditë ma mbas, Enver Rexhepi ishte rrahë nga persona të maskuem në pyjet mbi Gjilan.

Në të njajtat pyje, Qazimi ishte kapë nga policia disa vite ma vonë. Ai u arrestue mbas hetimeve të policisë kosovare për dy sulmet kamikaze në Irak dhe Turqi. Këtë të Premte, ai u dënue me 10 vite burg për nxitje të urrejtjes dhe për rekrutimin në organizata terroriste.