Inferioriteti ndaj Kosovës, po shndërrohet në ofendim

Kosovo-Football-Team-300x225500

Ben Andoni

Pas filmit “Shok”, që iu afrua Oskar-it si pakkush në histori nga filmat shqiptarë, e pas disa filmave të tjerë kosovarë të mbathur me çmime ndërkombëtare, duket se ka një zili të fshehur të Shqipërisë kulturore ndaj saj. Kjo s’vjen vetëm nga fondet që habitshmërisht shteti kosovar i gjeneron shumë më shumë se Shqipëria për kulturën dhe sportin, por edhe nga fleksibiliteti më bashkëkohor i Kosovës. Artistët e arteve pamore kosovare janë shumë më të suksesshëm në ekspozita ndërkombëtare dhe kështu mbeten edhe ata të aktrimit, rrymat alternative muzikore kosovare janë shumë më të përditësuara me muzikën bashkëkohore apo artistët e fushave të tjera, që janë të shpërndarë ngado në botë. Këtë sukses zyrtarët e Shqipërisë dhe shumë kolegë artistë e shprehin me kinse indiferencën, por edhe anatemat e ndryshme duke u përfolur gjuhën, varësinë e tyre të diktuar nga rrethana historike dhe ‘profesionalitetin’. Kulmi ka arritur në sport. Kosova e vogël, gati 10 vjet shtet synoi 2 medalje ari dhe arriti një në Rio 2016, ndërsa ka shpallur hapur interesat e saj për të marrë sërish medalje në Tokio 2020. Dhe, jo vetëm u përfaqësua me më shumë sportistë sesa Shqipëria, por e ka lënë dhjetëra vende poshtë për rezultatet përfundimtare të Rios.  Kurse futbollistët e Kosovës ose me origjinë të saj, duan apo s’duan ata që janë të lindur në Shqipëri apo gjetkë, janë shumë më të aftë se futbollistët tanë. Jo thjesht prej konjukturës historike, ku shumë prej tyre janë stërvitur jashtë por edhe se futbolli në Kosovë trashëgon tradita të mira të ish-vendeve të Federatës, që kanë pasur një afeksion më të madh për sportet, kjo për shkak të një sërë kushtesh antropologjikë, shëndetësorë por edhe botkuptimorë. Dhe, mbi të gjitha, kosovarët janë shumë më të lidhur me Kosovën sesa me Shqipërinë. Fabula patetike e një kombëtare që kemi ngritur me pahir, kishte peshë vetëm kur Kosova ishte e izoluar dhe Shqipëria shihej si vendi ëndërrimtar amë. Kjo e shpjegon faktin e kuptueshëm dhe reagimet që shumë nga futbollistët kosovarë sikur të mos kishin detyrime ndaj vendeve që përfaqësojnë do t’i bashkoheshin masivisht Kosovës. Mu këtë fakt, shfrytëzoi Bunjaki, trajneri i përfaqësueses Kosovare që në thirrjen e tij nuk zgjodhi për apel poetët kombëtarë Fishtën, Poradecin, Asdrenin, Naimin, Kadarenë apo Agollin, por Podrimen që ka përcaktim të qartë për Kosovën.

Nga Shqipëria ka mbetur që të ruajë një paternalitet fals, edhe kur nuk ia kërkojnë, që të krenohemi se jemi shtet prej më shumë se 100-vitesh, se kemi një gjuhë standarte për të cilën është bërë një kongres dhe konferenca pafund dhe e respektojmë shumë më tepër se kosovarët, se kemi institucione dhe vetëdije më të lartë shtetërore. Kjo na bën që t’i shikojmë kosovarët gjithnjë si aneks dhe t’i nënvleftësojmë, derisa ata po na lënë pak e nga pak pas, në pozicionin tonë natyral në fund të zhvillimit ballkanik.

Vitet po tregojnë se kosovarët jo vetëm s’kanë më nevojë për Shqipërinë, por thjesht po e asistojnë atë, ndërsa e kanë shfrytëzuar prej pamundësisë së tyre , e që shumë shpejt do të lehtësohen edhe më tej me liberalizimin e vizave. Ka kohë që marrëdhënia jonë fut ujë: Në tregti gjen plot argumente dhe paçka fjalëve të bukura të dy vendet nuk është se kanë partner të parë njëri-tjetrin, librat kosovarë as nuk prekin në Shqipëri, ashtu si në fusha të tjera ku bashkëpunimi mungon krejtësisht, ndryshe nga çfarë thuhet.

Në të gjithë këtë qerthull, ka mbetur vetëm retorika patriotike dhe nga ana e Shqipërisë kompleksi që shteti i vogël dhjetëvjeçar, megjithë problemet e shumta të politikës së vet të hallakatur, po na lë pas. Të paktën në kulturë dhe sport. Këtë nuk është e vështirë ta shohësh, pasi e kupton nga anatemat tona në rrjetet sociale dhe mënyrën sesi akuzojmë të drejtën e njerëzve që të përfaqësojnë vendin e tyre. E ky mllef, po na bën që të mbytemi në zilinë tonë që nuk kemi kampionë të vërtetë si kosovarët, që luajnë në kategori shumë më sipër sesa lojtarët tanë; që bëjnë muzikën alternative më të mirë se tonën; që kanë filma më të sukesshëm; dhe që investojnë më shumë për kulturën dhe sportin për rininë. Kështu, ndaj na ka mbetur thjesht që t’i ofendojmë, sepse kaq dimë ta bëjmë shumë më mirë sesa ata.