Italia legalizon martesat e homoseksualëve

Italia ka legalizue martesat mbrenda seksit të njajtë, të njoftun me emnin “Bashkimi Civil”.
Me 372 vota pro, 51 kundër e 99 abstenime, Parlamenti miratoi propozimin e Qeverisë, për lejimin e martesave mes homoseksualëve, nji premtim i vjetër i Kryeministrit Matteo Renzi.
Pak para këtij votimi, Renzi kërkoi votëbesimin e Qeverisë, për të cilën mori 369 vota pro nga 564 deputetë të pranishëm në Parlament.

Votëbesimi i Qeverisë ishte kërkue nga vetë Kryeministri, mbas debateve të mëdha që ka ngjallë në politikën italiane ky ligj.

Nji nga kundërshtarët ma të mëdhaj të martesave të homoseksualëve, lideri i Lidhjes së Veriut, Matteo Salvini, u ka ba thirrje kryekomunarëve të partisë së tij që mos me zbatue këtë ligj të Qeverisë.
Por Kryeministri ka reague menjiherë, tue thanë se kurrkush nuk ka të drejtë mos me iu bindë ligjit.

Madje, edhe gjyqtarët ndalen para ligjit, – tha Renzi.

Ndërkaq, jashtë Parlamentit italian, qinda mbështetës të ligjit për martesat e homoseksualëve, kanë pritë me orë të tana dhe kanë përshëndetë miratimin e ligjit nga deputetët.

Festës së tyne u asht bashkue edhe minsitrja e Reformave, Elena Boschi, e cila tha se ky ligj e ban Italinë ma krenare.

Por jo të gjithë kanë festue, sepse nji pjesë e qytetarëve italianë kishin dalë me e kundërshtue këtë ligj.

Nji burrë dhe nji burrë nuk asht martesë, – thoshin protestuesit, te shtue se fmitë nuk kanë me e mësue ma kurrë fjalën “nanë”.