Ivanov: U pajtuem me shqiptarët, tash duhet me u pajtue mes veti

Na arritëm me u pajtue me shqiptarët, e tash asht koha me u pajtue mes veti. Nuk duhet me e harrue historinë.

Kështu dekalroi sot Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov në lidhje me amnistinë e para dy ditëve ndaj politikanëve të naltë maqedonas, të dënuem apo nën hetime për vepra të randa korruptive dhe krim të organizuem.

Por mbas takimit me Ivanov’in, Ambasadori Amerikan në Shkup, Jess Baily e ka cilësue vendimin e Presidentit si nji mosndëshkim dhe pengesë për rrugën euroatlantike të vendit.

E njajtë si Ivanov që i quejti “huliganë” protestuesit që mbramë dogjën zyrën e tij, edhe ambasadori Baily i ka dënue si vandaliste dhe të dhunshme protestat, ndërsa eurokomisioneri Johannes Hahn u ka ba thirrje qytetarëve që me ndejtë larg dhunës.

Ndërsa Ministri për Europën i Britanisë së Madhe, David Lidington i kërkoi Presidentit Ivanov që me e tërheqë vendimin e tij për amnisti e abolim ndaj të akuzuemve për krim e korrupsion.

Amnistinë e Presidentit dhe situatën në Maqedoni po e ndjek me shqetësim edhe Bashkimi Europian.

Na jemi shumë të shqetësuem për vendimin e Presidentit për me abolue politikanët dhe zyrtarët që po hetohen për vepra kriminale, sepse ai rrezikon me prodhue nji klimë të pandëshkueshmërisë dhe investimet e komunitetit ndërkombëtar në Maqedoni – tha zadhanësja e Komisionit Europian Maja Kocijancic, tu’ i dhanë mbështetje Prokurorisë Speciale për zbardhjen e të gjitha rasteve në hetim.

Ndërkaq, në praninë e ambasadorëve të shumë vendeve perëndimore, Prokuroria Speciale doli sot në nji konferencë për media, ku i dha nji goditje të randë amnistisë dhe abolimit të Presidentit.

Ivanov ka me pasë shumë punë për me falë, sepse na kemi me hapë shumë raste të dyshueme për krime dhe korrupsion, tha Kryeprokurorja Speciale Katica Janeva.

Ndërsa prokurorja special Lence Ristevska u shpreh e shokueme nga vendimi i Prsidentit për faljen e ma shumë se 10 politiaknëve që gjatë 10 viteve të fundit, dyshohen se kanë krye krime e vepra korruptive.

Prokuroria Speciale e Maqedonisë ka dyshime se dikush ka vjedhë listën e personave të akzuem nga kjo prokurori, në mesin e të cilëve përfshihet edhe ish-Shefi i Shërbimit Sekret, Saso Mijalkov.

Ne na intereson se ku i ka marrë Presidenti të dhanat për personat që ka falë, – tha prokurorja speciale, tu’ shtue se Prokuroria nuk e pranon këtë vendim të Ivanov’it.

Asnji person nuk mundet me i ikë drejtësisë – tha ajo.

Nga ana tjetër, Zaev ka paralajmërue se protestat në Shkup kanë me vazhdue. Ai e ka akuzue Nikola Gruevskin si fajtorë për të gjitha krimet në vend.

Por kur nji mbështetës i partisë së tij, LSDM u fiksue nga kamerat tu’ protestue dhunshëm, kundërshtari i tij politik ish-Kryeministri Nikola Gruevski, e akuzoi sot Zaevin se po kërkon që në Maqedoni me u vra mija njerëz.

Partia e Zaev’it përkrahet nga njerëz të dhunshëm, që sulmojnë policinë, thyejnë e plaçkisin, – tha kryetari i VMRO-DPMNE, tu’ shtue se as ai, e as qytetarët nuk kanë me e lejue shkatërrimin e Maqedonisë.