Jahjaga-Biden: Krenare që forcova marrëdhaniet me SHBA

Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga u takue sot me Zv/Presidentin Amerikan, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi u mbajt në kuadër të vizitës zyrtare të Presidentes në Shtetet e Bashkueme, e fundit në cilësinë e të parës së shtetit të Kosovës.

Simbas deklaratës së Zyrës së Presidentes, në takim u fol për konsolidimin e Republikës së Kosovës, situatën e sigurisë në vendin tonë dhe në rajon, si dhe për përpjekjet e shtetit për thellimin e reformave politike dhe ekonomike në rrugën drejt integrimeve europiane.

Presidentja theksoi vendosmëninë e vendit tonë në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, sidomos ndaj angazhimit të qytetarëve të Kosovës në organizatat terroriste në Siri dhe Irak.

Ndërsa simbas deklaratës zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, Zv/Presidenti dhe Presidentja u pajtuen për nevojën urgjente që të gjitha partitë politike në vend me iu përkushtue dialogut mbrenda Kuvendit të Kosovës.

Biden theksoi mbështetjen e fuqishme të SHBA për dialogun me Serbinë në Bruksel, si dhe e falenderoi Presidenten për përpjekjet e saj për me iu kundërvu’ ekstremizmit të dhunshëm. Ai gjithashtu e falenderoi Jahjagën për lidershipin e saj në forcimin e demokracisë në Kosovë dhe e siguroi për vazhdimin e përkushtimit të SHBA’s për nji shtet Sovran, shumëetnik e demokratik të integruem plotësisht në bashkësinë ndërkombëtare.

Gjatë ditës, Presidentja e ka mbajtë nji ligjëratë në Georgetown University, ndërsa mbas rreth 1 ore, bashkë me Zv/Presidentin Joe Biden, kanë me marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave, e cila nis në orën 23:00 me orën lokale të Kosovës.

 

Në linkun ma poshtë mundeni me ndëgjue Presidenten Jahjaga, e cila asht live tue folë për menaxhimin e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perendimor, në Këshillin Amerikan të Atlantikut, në Washington DC.