Jahjaga: Kam takue çdo grue të dhunueme seksualisht gjatë luftës

Njana prej nismave ma t’mira të Presidentes së Republikës së Kosovës ma n’fund ka fillue me u jetësue.
Mbas shumë fushatave e aktiviteteve të tjera, në zyren e saj kanë mbërri aplikacionet e para për njohjen e statusit të mbijetuemit të dhunës seksuale gjatë luftës.
Vetë Presidentja, bashkë me Dukeshën e Cornwall’it, që ndodhet për vizitë në Kosovë, u takue me nji grup të grave të dhunueme, të cilat i siguroi se mbështetja ndaj tyne ka me vazhdue.
Ndërsa Dukesha tha se ka ndi mjaft histori të tilla, por n’asnji vend të botës nuk kanë qenë kaq të dhimbshme sa në Kosovë.

Ky pranim i dokumenteve shenon edhe zyrtarisht fillimin e këtij procesi, plot 17 vjet mbas përfundimit të luftës.
Kjo u arritë falë angazhimit të Presidentes së Republikës, e cila që prej tre vjetësh ka kerkue miratimin e ligjit për statusin e viktimave të dhunës seksuale, ligj i cili u miratue në vitin 2014.

“Rreth 20 mijë femna janë dhunue gjatë luftës, e ato vazhdojnë me u stigmatizue nga vetë familjet e tyne dhe shoqnia. Kjo ishte nji tabu e për këtë kurrkush nuk donte me folë privatisht e as publikisht.

Mbas nji debati të ndytë që pasoi propozimin tim për me futë në agjendën e Kuvendit projektligjin që njeh statusin e viktimave të dhunës seksuale, thashë mjaft! U ba boll! U betova se nuk kam me e lejue këtë në Kosovë, nën presidencën time.

Për këtë arsye e vuna ndër prioritetet e mia kryesore rregullimin me ligj të statusit të këtyne viktimave, riintegrimin e tyne, e sidomos qasjen në drejtësi. Sepse ato gra nuk duen punë, nuk duen pare, ata duen që autorët e krimit me shkue para drejtësisë. Dhe kjo kulturë e mosndëshkimit vazhdon me egzistue në Kosovë edhe kaq vjet mbas luftës, në Bosnje, Ruanda e kudo.

Prandaj unë jam angazhue në të gjitha fushatat në përkrahje të tyne. Kam takue personalisht çdo grue që ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Por na nuk duhet me i pa ma ato si viktima, na duhet me i trajtue ato si të mbijetueme”.

Këtë çashtje, Presidentja e ka ngritë në çdo takim, konferencë e udhëtim të saj jashtë vendit, tue arritë nderkombëtarizimin në vetë selinë e Kombeve të Bashkueme, edhe pse shefi i OKB’s, Ban Ki-moon, ende nuk e ka përfshi këtë në raportet për Kosovën.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB’s, me 29 Fror të këtij viti, ishte Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ajo që e çoi në vend këtë porosi të Presidentes.

Në kuadrin e angazhimeve për këtë kauzë, Presidentja ka mbështetë fuqishëm projektin “Mendoj për ty”, kur vjet në stadiumin e Prishtinës u ekspozuen gati 5 mijë fustane, të dhurueme nga shumë gra nga I gjithë vendi, por edhe nga personalitete botnore, në solidarizim me gratë e dhunueme.

Në anën tjetër pak ditë ma parë, Zyra e Presidentes nënshkroi nji memorandum me Ministrinë e Shendëtësisë, e cila ka me ba verifikimin e statusit të këtyne viktimave.

Presidentja nuk e ka pasë të lehtë në këtë sfidë, për të cilën nuk asht folë as në as në shtëpi, as në rrugë e as në institucionet shtetnore. Kanë qenë të pakta edhe organizatat e shoqnisë civile që i kanë kushtue kohë.

Mirëpo me inicimin e Presidentes, kjo çashtje ka marrë jehohën e vet dhe tashmë veçse ka fillue me i ardhë fund, bash atëherë kur Jahjaga po e përfundon mandatin e saj.