Jahjaga ligjeron ne Washington

Presidentja ne largim e Republikes, Atifete Jahjaga mban ligjerate ne Universitetin Georgetown ne Washington. Ligjerata Jahjages me titull ‘Konteksti i marrëdhënieve ndërfetare në Kosovë: tejkalimi i ndarjeve dhe forcimi i tolerancës në shtetin e ri’ ishte per sfiden ma te madhe te gjeneratave të këtij shekulli, definimi dhe akomodimi i religjionit ne demokracine pluraliste.
Ma poshte lexoni ligjeraten e plote te Atifete Jahjages:

I nderuari Imam Hendi
Të nderuar studentë,
Zonja dhe zotërinj,
Para se të filloj, dëshiroj që t’ju falënderoj të gjithë ju për pjesëmarrje dhe Imamin Hendi për ftesën që të flas në këtë forum dhe për t’u rikthyer në Georgetown. Shumë gra vendimmarrëse të cilat u kanë dhënë formë debateve të kohës sonë dhe për të cilat kam respekt të thellë, kanë kaluar nëpër këto salla dhe është gjithmonë kënaqësi që të vazhdosh hapave të këtyre shtegshënueseve.

Kisha kënaqësinë që ta takoj Imamin Hendi gjatë vizitës së tij në Kosovë vitin e kaluar, kur na u dha mundësia për të shkëmbyer mendimet dhe pikëpamjet mbi ato se çfarë jemi duke u munduar të bëjmë në Kosovë dhe sfidat e shumta me të cilat jemi duke u ballafaquar. Dhe jam mirënjohëse për mundësinë për t’i përshkruar se si shteti më i ri i Evropës është duke bërë hapa të mëdhenj në rimëkëmbje, tejkalim dhe ecje përpara.

Natyrisht, rrugëtimi drejt rimëkëmbjes, drejt normalitetit, drejt asaj se çfarë përfaqëson Kosova sot, ishte kompleks. Siç e kam përshkruar shpesh, ne jemi një shoqëri e cila në fundin e shekullit të kaluar ka jetuar, ka rezistuar nëpërmes një mosbindjeve qytetare, dhe përfundimisht ka luftuar represionin e tmerrshëm të regjimit serb të kohës, një represion dhe një luftë të cilat kanë lënë varrë të thella në shoqërinë tonë.

Me ndihmën e shumë vendeve demokratike, të cilat i dolën në ndihmë popullit të Kosovës, ne kemi kaluar këto dy dekadat e fundit në rindërtimin e lidhjeve në mes të etnive të ndryshme, në mes të institucioneve fetare dhe kemi punuar shumë për të ndërtuar besimin, komponentë kyçe kjo e pajtimit dhe sigurimit se ngjarjet e viteve 1990 nuk do të ndodhin më kurrë ne Ballkan.
Për përcaktimin e drejtimit tone përpara, ne vetëm duhej të shinim prapa, në traditën tonë të gjatë të koekzistencës paqësore dhe harmonike të religjioneve të ndryshme. Kosova është shtëpi e një popullate prej rreth 90 përqind shqiptarë, shumica myslimanë, shumica e të cilëve janë sekularë dhe të tjerët shumica pasues të traditës Hanefi, e cila daton që nga konvertimet e ndodhura gjatë pushtimit nga perandoria osmane në shekullin e pesëmbëdhjetë. Kemi po ashtu edhe një prezencë të Sufizmit, me traditat e tyre mistike, e cila prezencë ka mundësi të datojë që nga shekulli i trembëdhjetë, duke mbijetuar deri më sot në Kosovë, një pasuri të cilën ne e konsiderojmë si trashëgimi të vlefshme kulturore.

Kosova ka disa nga kishat më të rëndësishme ortodokse serbe, në të cilat komuniteti serb, rreth 5 për qind e popullatës, kryen ritet e veta fetare. Po ashtu kemi edhe një komunitet shumë të vogël, por vibrant, të komunitetit katolik. Dhe jemi shumë, shumë krenarë që i japim kishës katolike shenjtoren e saj më të re, Nënën Terezë, murgeshë me origjinë shqiptare, e cila bëri betimin e saj shumë vjet më parë, në një kishë të vogël dhe të izoluar, të njohur për statujën e saj të Madonës së zezë, në lindje të Kosovës.
Pas luftës, huliganët shqiptarë shkatërruan një numër të kishave ortodokse serbe duke u munduar që të dobësojnë lidhjet e komunitetit serb në Kosovë.

Ky ishte një episod i dhimbshëm i historisë së gjatë të Kosovës gjatë së cilës- në pjesën më të madhe- njerëz të etnive dhe feve të ndryshme ruajtën atë të cilën e besuan se është trashëgimi e tyre e përbashkët, duke u ngritur mbi tundimet për të ndjekur agjendat politike të cilat i ndanin këto komunitete dhe të cilat keqpërdornin dallimet në mes tyre.

Nga ajo kohë kemi arritur që ta hapim një kapitull të ri në Kosovë. Në përgjithësi, sulmet ndaj monumenteve religjioze dhe shkatërrimi i vendeve të shenjta është ndërprerë. Dhe në raste kur ato ndodhin, ato dënohen nga të gjithë dhe kryesit e veprave sillen para drejtësisë.

Pikënisja jonë ishte Kushtetuta e jonë. Ne hartuam dhe aprovuam një Kushtetutë e cila promovon praktikim të papenguar të fesë dhe i jep trajtim të njëjtë të gjitha feve në Kosovë. Ne natyrisht, në jetët tona sekulare, po ashtu e lejojmë edhe mosbesimim, sepse ne e shohim religjionin si pjesë të rëndësishme të identitetit të njerëzve por edhe si zgjidhje individuale.

Në themel, nëpërmes këtij zotimi që të ndajmë religjionin nga shteti ne duam që të mbrojmë religjionet dhe objektet e tyre të kultit nga politika dhe që ato të mos përdoren më kurrë për nxitje të ndasive etnike.

Përkundër të kaluarës sonë të hidhur, si shumicë etnike në Kosovë, ne kemi obligim që t’i ruajmë kishat ortodokse serbe dhe mënyrën e jetës së bashkëvendësve tanë serbë. Për ta, këto monumente janë pika kyçe të identitetit të tyre dhe janë vende të rëndësishme të mbijetesës së tyre.

Ne fitojmë legjitimitet si shtet i qytetarëve të barabartë në bazë të asaj se si i trajtojmë pakicat tona, dhe jemi të vendosur që ta ndërprejmë këtë cikël të pakuptimtë të dhunës e cila ka lënë gjenerata të tëra- duke përfshirë edhe gjeneratën time- të përjashtuar nga shoqëria dhe në izolim.

Kjo është arsyeja se pse, nëse e shikoni Kushtetutën e Kosovës, ajo është unike në dhënien e një autonomie të madhe kishës ortodokse serbe dhe në mbrojtje të vendeve të shenjta. Pas trazirave të vitit 2004 të cilat shënjestruan këto objekte, qeveria e Kosovës ka paguar të gjitha shpenzimet e rikonstruimit dhe ka burgosur fajtorët.

Është e panevojshme të thuhet se ka shumë hidhërim të mbyllur në shoqërinë tonë rreth të kaluarës, për atë se ka shumë kryes të krimeve të tmerrshme, të kryera në emër të kombit dhe fesë, të cilët kurrë nuk janë penduar, kërkuar falje apo dënuar.

Por, ne duhet t’i rezistojmë kësaj shtytjeje për t’u hakmarrë. Ne duhet të shohim përpara dhe të vendosim themelet e një dialogu kuptimplotë ndërfetar me qëllim që ngjarjet e së shkuarës sonë mos të ndodhin më kurrë në të ardhmen. Dhe jam e lumtur që mund të them se liderët fetarë të Kosovës e kanë kuptuar këtë rol dhe janë duke udhëhequr përpjekjet për të iniciuar këtë lloj diskutimi.

Dhe derisa lëvizim përpara, Kosova po ballafaqohet me çështjen se si do të zgjedhë t’ia interpretojë të shkuarën gjeneratave të ardhshme. Kosova kurrë nuk guxon të bëhet vend ku monumentet fetare shkatërrohen deri në themel. Por, pasi që janë objekte kulti, ato nuk duhet të bëhen vend ku mund të iket nga fakti se si u krijuan ato, posaçërisht ato objekte të cilat u ndërtuan gjatë represionit serb. Nëse vendosim t’i shohim si objekte të shenjta, kam frikë se do ta tregonim vetëm një pjesë të tregimit.

Mënyra të cilën shpresoj se bashkëvendësit e mi do ta zgjedhin është se do t’i ruajnë ato dhe do t’i informojnë gjeneratat e reja me kontekstin i cili i rrethon ato, ngjashëm me debatin e kohës së fundit në shoqërinë tuaj rreth rolit të figurave të mëdha historike dhe skllavërisë. Kjo është e vetmja mënyrë për të mësuar nga gabimet e së shkuarës.

Një sfidë tjetër e madhe për vendin tonë të vogël është edhe ruajtja e llojit tonë unik të islamit, i cili është produkt i shumë viteve koekzistence me traditat tjera fetare.

Fatkeqësisht, Kosova nuk ka qenë e kursyer nga ringjallja globale e rrymave fetare të cilat mundohen të eksploatojnë dallimet etnike për të shtyrë më tej ambicien fetare, pra për të përdorur fenë për t’i theksuar dallimet etnike ekzistuese si pabesi. Ne jemi duke i parë shenjat e një interpretimi jo tolerant dhe më fundamental të islamit, të huaj për Kosovën por i cili ka gjetur rrugë deri tek vendi ynë.

Por, pyetja se si t’i mbrojmë shoqëritë tona nga kjo ka vetëm një përgjigje: arsimim dhe vetëm arsimim.

Të dashur miq,

Ky është tregimi modest i Kosovës. Siç mund ta kuptoni nga fjalimi im, ne nuk i kemi akoma të gjitha gjërat të qarta por kemi bërë hapa të mëdha përpara.

Ne e kemi zgjeruar tavolinën dhe kemi shtuar numrin e karrigeve që t’i përfshijmë të gjithë ata të cilët i kanë mbajtur të gjalla traditat dhe karakterin e bukur të shoqërisë sonë.

Ju faleminderit që ishit sot këtu dhe që më lejuat të ndajë mendimet e mia me ju.