Jakup Krasniqi: I përjetova sulmet e katër policive sekrete

jakup krasniqi rrokum

Jakup Krasniqi përmes nji shkrimi ka tregue siç thotë ai përjetimet me policinë sekrete. Në shkrimin e tij, ai thotë se gjatë jetës së tij politike mbi katërdhetë vjeçare, në forma të ndryshme ka përjetue katër sulme të policisë sekrete të nëntokës.

Qe disa nga fragmentet e letrës:

Në jetën teme politike mbi katërdhetë vjeçare, i përjetova në forma të ndryshme sulmet e katër policive sekrete të nëntokës. E para ishte UDB-a serbo/jugosllave. Arsyeja e t’parës ishte pse u anëtarësova në organizata të mshefta për me vazhdue e përhap idenë e çlirimit e të bashkimit të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e të Malit të zi me Nanën Shqipni. UDB-ashet na quejtën më epitete të ndryshme si: “nacionalistë, irredentistë, shovinistë, armiq të socializmit e vllaznim – bashkimit e epitete të tjera. Për këto akuza, banditët jugosllavë dhe bashkëpunëtorët e tyne shqiptarë me dënuan dy herë.

Sulmin e dytë, e pata nga Shërbimi Sekret i LDK-së (i edukuem dhe i specializuem nga UDB-ja jugosllave). Po pse baheshin këto akuza dhe kur filluen?

Vërtetë asht vështirë me u thanë pse baheshin këto akuza. Akuzat serbe baheshin kundër lirisë e çlirimit tonë. Po pse baheshin këto të UDB-ës së LDK-së? Këta me akuzonin pse kisha marrë guximin pa e pyetun sulltanin e LDK-së, që me i marrë në duer armët për çlirimin e Atdheut. Këta e mohonin prezencën time në Malet e Kosovës e më çitnin shpesh në Shqipni ku” kisha marrë ndonji thikë mbrapa shpine”.

Sulmin e tretë, ma të sofistikuem dhe banal e mora nga Shërbimi Sekret i PDK-së, kuptohet i intensifikuem mbas largimit tem nga kjo parti, edhe pse ai kishte fillue edhe para “aferës Pronto”, por që u intensifikue mbas kësaj tue i shfrytëzue mediat, portalet dhe rrjetet e ndryshme sociale. Për të më mundun, në Drenicë e në katundin tem derdhën pare të shumta, mashtruen me vende të shumta pune e rrena të tjera, për me thënë: “Qe ketë (Jakupin) nuk e mbështetin as në katundin e tij”.

Tash, në radhë asht sulmi i katërt i nji lufte tjetër speciale. Ai sulm po vjen nga individë të VV-së, sidomos mbas ikjes nga NISMA të Xhevat Bislimit, (i cili u ushqye për dy vjet nga Nisma e punoj kundër saj pa pushue), i cili duhet me qenë i koordinuem nga “specialci” i këtyne gjanave të liga, Dardan Mulliqi i VV-së. Kulmi i luftës së këtyne të fundit që asht intensifikue, mbas nji takimi të rastësishëm që patëm në nji koktej të organizuem nga Zyra e BE-së, në Hotelin Sviss Diamand, me Hashim Thaçin, i cili erdhi në tryezën tonë, natyrisht i pa ftuem. Këta e shfrytëzuen ketë takim për me m’linçue, sikur unë t’isha kthye në gjinin e Thaçit e të PDK-së?