“Janë 10 tonë hashash, vlla. Nji ton ia japim shtetit”. Zbardhen përgjimet e trafikantëve nga Vlora

Janë 10 tonë hashash, vlla. Nji ton ia japim shtetit dhe të tjerat i kemi për vete”. Derisa thurte këtë plan në bordin e nji automjeti “Audi” më 7 Gusht 2015, Sokol Burhamaj, i akuzuem si organizatori i nji grupi kriminal të kultivimit të hashashit në katundet e Vlorës, nuk e dinte se në kerr kishte nji përgjues.

Ky përgjim dhe dheta të tjerë u përdorën nga Prokuroria në gjykimin kundër tij dhe katër të bashkëpandehurve në Gjykatën për Krimet e Randa. “Panorama” ka sigurue dosjen e plotë gjyqësore ndaj personave të arrestuem nga operacioni “Fluturimi i lirë”, në Gusht të vitit 2015, të akuzuem si pjesë e nji grupi të angazhuem në kultivimin e hashashit e mandej trafikimin e tij me avion drejt Italisë.

Në dosje zbardhen përgjime bisedash ambientale dhe telefonike, ku të pandehunit planifikojnë kultivimin e drogës, apo flasin për mbarëvajtjen e plantacioneve egzistuese. Grupi u zbulue nga nji hetim i nisun nga autoritetet policore italiane për dy familje shqiptare në Itali që trafikonin landë narkotike nga Shqipnia në Itali.

Nga hetimet ka rezultue se pjesëtarë të familjes Lamaj kishin në dispozicion nji avion shumë të lehtë, model “Aeropakt A22S”, i cili kishte me u perdore për transport marijuane Shqipni-Itali. Pala italiane përdori metoda speciale të hetimit, tue vendose sinjalizues GPS dhe përgjues te avioni dhe te tri automjete “Audi” që përdoreshin nga të dyshuemit.