John Kerry kërkon hetime për krime lufte nga Rusia e Siria në Aleppo

Shtetet e Bashkueme kanë kërkue nji hetim për krime lufte ndaj veprimeve të Rusisë në Siri, tue argumentue se Moska i detyrohet botës të japë shpjegime.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se sulmet ajrore ruse dhe ato siriane ndaj spitaleve të punonjësve vullnetarë të emergjencave “lypsin të ndërmerret nji hetim i posaçëm për krime lufte”, shkruen Business Insider.

Kryediplomati amerikan shtoi se sulme të tilla janë përtej të qenit “aksidentalë” në këtë pikë të konfliktit civil sirian, ndërsa akuzon Moskën dhe Damaskun se kanë ndërmarrë “nji strategji shenjestrimi për të terrorizue civilët”.

Kerry, i cili ka folë në Washington gjatë nji konference bashkë me homologun e tij francez, Jean-Marc Ayrault, tha se forcat siriane kanë goditë nji tjetër spital përgjatë natës, tue lanë të vramë 20 persona dhe plagosun 100 të tjerë.

Kerry ka folë ndërkohë që dhoma e ulët e Parlamentit rus ka ratifikue nji traktat me Sirinë, i cili lejon ushtrinë ruse të qëndrojë në nji afat të pacaktuem në vendin e Lindjes së Mesme.