Juncker e ‘godet’ Trumpin: S’njeh Europën, as botën (video)

Tepër të ashpra janë deklaratat që vijnë nga presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, kundër udhëheqësit të sapozgjedhun të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.

Tue ju përgjigj pyetjes së nji studenteje gjatë nji debati me të rijtë në Luksemburg, Juncker u shpreh pa doreza se fitorja e republikanit rrezikonte të prishte ekuilibrat ndërkontinentalë, në thelb dhe në strukturë.

“Zgjedhja e Donald Trumpit president rrezikon me damtue ekuilibrat ndërkontinentalë. Me të do të humbasim dy vite kohë, mbasi ai duhet t’i bjerë rreth e qark nji bote, të cilën nuk e njeh. Ndërsa në përgjithësi, vizioni i tij për refugjatët dhe amerikanët me ngjyrë asht shumë larg bindjeve tona”.

Gjithsesi, ai shtoi se gjatë karrierës së tij të gjatë në politikë kishte punue me 4 presidentë amerikanë, tue shtue se kishte konstatue faktin që, mes gjanave që thuhen në fushatë dhe atyne që bëhen ka gjithmonë nji dallim.

Simbas kreu të Komisionit Europian, zgjedhja e miliarderit vë në dyshim aleancën e NATO’s dhe kësisoj modelin mbi të cilin mbështetet mbrojtja e Europës.

Idetë e Trumpit duket se nuk i pëlqejnë aspak Junckerit, që pohoi se ndaj refugjatëve dhe amerikanëve me ngjyrë, ai sillet në nji mënyrë që nuk reflekton bindjet dhe ndjenjat europiane.

Presidenti i KE’s mendon se amerikanët në përgjithësi nuk kanë asnji lloj interesi për Europën, gja që vlen si për klasën politike, ashtu edhe për popullin, dhe kjo simbas tij ndodh sepse nuk e njohin kontinentin e vjetër.

Për të argumentue bindjen e tij, Juncker kujtoi se dikur, Trump e kishte quejt Belgjikën nji fshat.

Për këtë arsye, – vijon ai, – presidentit të ri të Amerikës duhet t’i mësojmë se ku konsiston Europa dhe cilat janë parimet e fuknsionimit të saj, transmeton tch.

Dhe jo vetëm kaq. Zyrtari i lartë i KE-së pretendon se manjati i pasurive të paluajtshme duhet të mësojë edhe se çfarë është bota, e ky nuk do të jetë një mision i lehtë.