Ka shumë kërkesa për aftësime profesionale nga kosovarët

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë kallxue për Radion Evropa e Lirë se qendrat e aftësimit profesional, të cilat veprojnë në Kosovë, kanë shtue aktivitetin e tyne për trajnimin e personave, që paraqiten në këto qendra.
Megjithatë, këto qendra, kanë theksue ata, nuk i kanë të gjitha profilet që i kërkon tregu i punës.

Zavendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, ka thanë për Radion Evropa e Lirë se, këto qendra zhvillojnë politika për aftësim profesional në harmoni me kërkesat e tregut të punës.

Ajo ka ba të ditun se interesimi i punëkërkuesve për aftësim profesional asht jashtëzakonisht i madh.

“Nuk janë tana profilet në këto qendra të aftësimit profesional. Na po mundohemi që edhe napërmjet marrëveshjeve të ndryshme që i kemi me shtete tjera, me sjellë profesionistë në këto qendra dhe me i trajnue këta persona.

Kryesisht, kërkesat ma të mëdha për tregun e punës i plotësojmë”, ka thanë Hajzeraj.

Trajnime profesionale për të papunët, të cilët paraqiten në qendrat e punësimit në Kosovë, ofrohen falas për afër 30 profesione të zgjedhuna në bazë të analizës së tregut të punës.

Aftësim profesional ofrohet për rrobaqepësi, furrtari, inxhinieri, kuzhinier dhe shumë profesione tjera.