Kandidati për Sekretar të SHBA’ve kishte vizitue Serbinë në vitin 2012

Rudy Giuliani, ish-kryetar i New York’ut, i cili asht kandidati kryesor i presidentit të zgjedhun të SHBA’ve, Donald Trump, për me u ba sekretar i shtetit, ka pasë lidhje të kalueme me udhëheqës të huej dhe grupe nga Serbia deri te Rusia e Irani.

Giuliani ka kritikue ish-sekretaren e shtetit, Hilllary Clinton, për lidhjet e saj me qeveri dhe korporata të hueja kur ka garue për Shtëpinë e Bardhë. Kritikët tash thonë se marrëdhaniet e tij të hershme munden me përballë atë me të njajtat akuza.

Në nji rast, Giuliani kishte udhëtue në Beograd në vitin 2012 dhe kishte takue Aleksandar Vucicin, kryeministrin aktual të Serbisë, i cili në atë kohë ka qenë udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe, e cila ka qenë aleate e udhëheqësit famëkeq serb, Slobodan Miloshevic.

Lajmi për udhëtimin e Giulianit ka ba që Clinton, në nji email që ka rrjedhë në publik, me shkruejt se “kjo asht skandaloze”. Lajmi po ashtu, ka nxitë ambasadën amerikane në Beograd me lëshue nji deklaratë, tue thanë se SHBA nuk merr anë në zgjedhjet e Serbisë.

Vetë Giuliani i sheh udhëtimet dhe kontaktet e tij të gjana si arsye kryesore pse asht kualifikue për punën e kryediplomatit.

“Kam qenë në 80 vende, në 150 udhëtime të ndryshme”, ka thanë Giuliani në nji intervistë për Fox News më 15 Nandor. “Shumë prej tyne kanë qenë për arsye të ndryshme: fjalime, konsultime për siguri, kam ndihmue në uljen e krimit”, ka shtue ai.