Kapet policia tue transportue drogë me kerre

Për shumë qytetarë të Kosovës i pabesueshëm kishte m’u cilësue fakti se droga në vend qarkullon në kerret e Policëve të Kosovës.

Policia e Kosovës vlerësohet si institucioni ma i besueshëm në vend por mbrenda vitit zyrtarët e saj janë kap në dy raste tek transportonin drogë me kerret e tyne.

Prokuroria e Mitrovicës asht tue hetue nji rrjet të policëve të Kosovës të cilët u kapën para disa javësh me 8 kilogramë mariuhanë në Mitrovicën Veriore.

KALLXO.com ka sigurue detaje nga dosja e prokurorisë së Mitrovicës ku përshkruhen veprimet e policeve dhe mënyra se si ata shoqnonin dhe përcillnin dërgesën e drogës në Mitrovicën Veriore.

Në dokumentin e siguruem i cili mban numrin 68/2017 e i hartuem nga prokurorja e krimeve të randa, Zejnie Kela, përshkruhen veprimet e policit Adnan Gërrxhaliu në përcjelljen e kerrit në të cilën qarkullonte sasia e drogës.

Simbas dosjes së prokurores Kelaj me datë 13.07.2017, policët Adnan Gërrxhaliu e Shemsedin Geci së bashku me personin e tretë Valon Malaj ishin koordinue që ta dërgonin drogën nga Skenderaj për në Mitrovicën e Veriut.

Grupi simbas dosjes së prokurorisë ishte fotografue në çdo hap nga hetuesit të cilët po e ndiqnin rastin.