Kërkohet hetim ndaj kryeprokurorit Imer Beka për ndërhymje në ‘rastin Grabovci’

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi ka paralajmëruar se ka m’i ba shkresë zyrtare Këshillit Prokurorial për të hetue ndërhymjen e kryeprokurorit të Prishtinës, Imer Beka në pmavarësinë e gjyqësorit.

Deklaratat e Bekës se Gjykata nuk asht dasht ta hedhë poshtë kërkesën e Adem Grabovcit për ndalimin e përgjimeve nga Insajderi, Ibrahimi i ka cilësue si ndërhymje në sistem të drejtësisë.

Ndërhymje të tilla janë të sanksionueme edhe me Kodin e Etikës, të cilat konsiderohen si sjellje e pahijshme dhe shkelje etike, që mund të rezultojnë me masa ndëshkuese deri në shkarkim.

Ibrahimi ka thanë se vendimi i Gjykatës Themelore për ta hedhë poshtë këtë kërkesë, mund të interpretohet vetëm nga Gjykata e Apelit dhe askush tjetër.

“Askush mbrenda sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, si individ, nuk ka të drejtë që të vnoj në pikëpyetje ligjshmëninë e vendimit të gjykatës”, ka thanë Ibrahimi.

“Çdokush që asht i veshun me autorizime dhe kompetenca në fushën e drejtësisë (gjyqtar apo prokuror), i cili publikisht vnon në dyshim ligjshmëninë e nji vendimi të gjykatës, konsiderohet se drejtpërsëdrejti interferon apo tenton të interferojë në pamvarësinë e gjyqtarit me rastin e marrjes së vendimit”, ka shtue prerazi Ibrahimi.

Për këtë arsye, ai ka paralajmërue shkresë zyrtare për ta njoftue Këshillin Prokurorial të Kosovës për këto ndërhymje.

“Asht në kompetencën dhe obligimin e Këshillit Prokurorial të Republikës së Kosovës që të merret me vlerësimin se në sjelljet e nji prokurori a ka tejkalime të autorizimeve dhe kompetencave dhe nëse ka, cilat janë pasojat dhe si duhet të procedohet ma tutje”, ka thënë ai.

Reagimi i Ibrahimit, ka ardhë mbas intervistës së Imer Bekës të dhanë në emisionin Komitetit të Gazetës Express. Në këtë intervistë, Beka ka folë për padinë e Grabovcit dhe për hetimet penale që po zhvillohen ndaj tij. Qëndrimin e ka identik me atë të Grabovcit.

“Nëse nji prokuror nuk sheh të arsyeshme me ngrit diçka penale, nuk e di qysh nji prokuror tjetër mundet me ngritë. Unë këtë s’e kuptoj”, ka thanë Beka.