Kerry, zyrtari ma i naltë amerikan në Hiroshima

kerryhiroshima

Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kerry do të bahet zyrtari ma i naltë amerikan që do të vizitojë Hiroshimën, mbasi të Hanën do të udhëheqë nji delegacion të ministrave të Jashtëm të G7’tës, të cilët do të vendosin lule mbi monumentin që nderon 140 mijë viktimat e bombës së parë, të përdorun, atomike në historinë e njerëzimit, në vitin 1945.

Mbetet të shihet nëse vizita e Kerryt do të paraqesë test për nji vizitë të mundshme të presidentit Barack Obama në Hiroshimë në muejin Maj, atëherë kur Obama do të jetë i pranishëm në takimin e G7’tës, që do të zhvillohet në rajonin Ise-Shima të Japonisë.

Kjo do të jetë vizita e katërt e Obamës në Japoni, njiherësh e fundit në cilësinë e presidentit amerikan.

Asnji president i SHBA’s nuk ka vizitu Hiroshimën përsa kohë ka qenë në krye të shtetit.

Ministri i Jashtëm i Japonisë, Fumio Kishida, ka ngjall shpresën që takimi i ministrave të Jashtëm të rezultojë me nji deklaratë të përbashkët për çarmatosjen bërthamore.

 

2-kerry