Kështu shkruen ‘The Telegraph’ për gjakmarrjen shqiptare

kanuni

Asht ana e errët e hakmarrjes së shqiptarëve që buron nga nji kod mesjetar drejtësie e që pjell nji cikël vrasjesh pafund.

Kështu e nis shkrimin Peter Foster për “The Telegraph” kushtue gjakmarrjes.

“Këto janë historitë që nuk duhet të zinin vend në Shqipninë moderne ku ka hye rrjeti 4G, anëtare e NATO’s dhe kandidate për Bashkimin Europian”, vijon shkrimi.

“Telegraph” interviston Gjin Markun, nji shqiptar që e prezenton si ish-agjent sekret që tashma punon si ndërmjetësues në pajtimin e gjaqeve dhe i hetuem për dhanie vërtetimesh gjakmarrjeje për çashtje azili edhe për persona që nuk janë në gjak.

Marku flet për 35 vrasje (!) për gjakmarrje vetëm mbrenda 2016 dhe thotë se nuk bahet fjalë për vrasje të rastësishme, por pasojë e Kanunit.

Gazeta britanike citon rastin e Shkodrës, ku nji i ri qelloi në drejtim të dy vllazënve mbasi nuk pranuen që motra e tyne të martohej me të.

“Këto janë rregullat e Kanunit, nji kod i hershëm me 1262 nene që daton që prej shekullit të 15’të, i shkruem nga Lekë Dukagjini e ku thuhet se ‘gjaku lahet me gjak”, thotë Telegraph.

“Telegraph” e lidh këtë problematikë me emigrantët shqiptarë në Britani.

“Veçse pjesë e kulturës dhe e ADN’s së shqiptarëve, Kanuni asht nji burim në rritje dhe shqetësues i azil-kerkimit në gjykatat britanike.

Që prej vitit 2012, mija shqiptarë kanë emigru në Europë dhe nji pjesë e madhe e tyne kerkojnë azil tue deklaru se janë të kercënuem në vendlindje për shkak të gjakmarrjes”, thotë gazeta.
Edhe sot, vëren gazetari britanik, gjen familje shqiptare në Veri të vendit që izolohen nga frika e vrasjes.