Këtë javë pritet diçka e re lidhun me Demarkacionin

Gjatë kësaj jave, përfaqësuesit e partive ma të mëdha politike në Kosovë, kanë paralajmërue vazhdimin e takimeve në kuadër të përpjekjeve për harmonizimin e nji deklarate të përbashkët rreth marrëveshjes për Demarkacionin e kufinit me Malin e Zi.

Takimi pritet të lehtësohet nga Grupi Ballkanik për Politika, ku kanë me qenë të pranishëm edhe ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë në Prishtinë.

Simbas ecunisë së deritashme të bisedimeve, kanë mbetë edhe tri – katër pika që presin të harmonizohen para se subjektet ma të mëdha parlamentare të miratojnë, eventualisht, deklaratën e përbashkët. Deklarata asht thanë se ka me përmbajtë edhe pika që nuk ndërlidhen vetëm me Demarkacionin, por edhe me aspektet e përgjithshme politike.

Ndërkaq, në lidhje me Demarkacionin, asht thanë se ka nji harmonizim që të mos procedohet në Kuvend pa nji pajtim të përgjithshëm politik.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njiherit kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ka thanë se Demarkacioni me Malin e Zi duhet të përmbyllet sa ma shpejt.

Ndonëse nuk asht përqendrue në versionin aktual të Marrëveshjes së nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi apo në deklaratën e përbashkët që eventualisht pritet të nënshkruhet, Veseli ka thanë se Kosova nuk guxon që të rrezikojë rrugën e saj integruese europiane dhe zotimin e saj për marrëdhanie të mira me fqijtë, siç asht rasti me Malin e Zi.

“Demarkacioni duhet të kalojë për arsye se asht interes strategjik i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nuk duhet të damtohet perspektiva e së ardhmes euro-atlantike e Kosovës”.

“Çdo veprim, i cili destabilizon apo cenon faktorët e paqes, siç asht partneriteti ynë me fqijtë, në këtë rast Republika e Malit të Zi, asht cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit tonë”, ka thanë Veseli.