Këto janë kompetencat e EULEX’it edhe për 2 vjet!

Mbas vendimit të Këshillit për me vazhdue mandatin e Misionit të BE’s për Sundimin e Ligjit në Kosovë deri më 14 Qershor 2018, dhe mbas shkëmbimit të letrave ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe Përfaqësueses së Naltë të BE’s Federica Mogherini, Misioni EULEX në partneritet me autoritetet kosovare ka me vazhdue me transferimin gradual të aktiviteteve të tij te institucionet vendase dhe aktorët tjerë të BE’s.

“EULEX Kosova ka me ndihmue Kosovën, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në përparimin e tyne drejt qëndrueshmënisë dhe llogaridhanies, si dhe në zhvillimin dhe fuqizimin e matejmë të sistemit të pamvarun shumetnik të drejtësisë dhe policisë dhe shërbimit doganor shumetnik, tue sigurue që këto institucione të jenë të lira prej ndërhymjeve politike dhe që i përmbahen standardeve të pranueme ndërkombëtare dhe praktikave europiane ma të mira”, thuhet në njoftimin e EULEX’it për media.

Ky Mision, në bashkëpunim të plotë me Programet e Asistencës të Bashkimit Europian ka me zbatu mandatin e tij përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, ndërsa i ruen disa përgjegjësi të caktueme ekzekutive.

Në mënyrë që të mundësohet progresi i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm nga ana e autoriteteve vendase, tue i përfshi autoritetet gjyqësore dhe shërbimet policore, ky Mision ka me ofrue monitorim, mentorim dhe këshillim në nivelet e shtabeve dhe të drejtuesve të naltë të institucioneve përkatëse të Sundimit të Ligjit për ta përforcue rrethin e drejtësisë penale, me theks në luftimin e ndërhymjes politike dhe monitorimit të landëve të ndjeshme.

Në njoftim thuhet se përmes funksionit egzekutiv të tij ky Mision ka me ofrue mbështetje për vendimet në landët e të drejtës kushtetuese dhe civile, si dhe në ndjekjen dhe gjykimin e landëve të përzgjedhura penale.

Në të njajtën kohë, landët e EULEX’it do të vlerësohen vazhdimisht me qëllim që këto landë të ri-kualifikohen si landë të përbashkëta, tue i angazhue ma tej autoritetet kosovare të drejtësisë, prokurorisë dhe ato hetimore në mënyrë që të ndërtohen kapacitetet kosovare në këto fusha.

Në parim të gjitha hetimet penale dhe gjykimet e reja penale do të kryhen nga autoritetet e Kosovës, me panele gjyqësore të përbame nga gjyqtarë të Kosovës.
Vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, nji rast mund t’i caktohet nji prokurori të EULEX’it, ose nji panel të përbamë nga shumica e gjyqtarëve të EULEX’it.

Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX’it kanë me vazhdue me qenë të bashkë-vendosun në institucionet e Kosovës dhe të shërbejnë në përputhje me ligjet kosovare.

Misioni gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me PSBE në Kosovë ka me ofrue mbështetje në dialogun Beograd-Prishtinë për me ndihmue me zbatimin e marrëveshjeve të mbetuna të dialogut në sferën e sundimit të ligjit.

EULEX Kosova, i krijuem në vitin 2008, i ndihmon dhe mbështetë autoritetet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht ato që lidhen me policinë, gjyqësinë dhe doganën.