Kjo asht dëshmia e personit që pa sulmin në Kuvendin e Kosovës

Në gjykimin për sulmin me raketahedhës në godinën e Kuvendit të Kosovës, në Gusht të vitit të kaluem, për të cilin po akuzohen aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi e Egzon Haliti, dëshmoi Egzon Metolli.

Metolli ndodhej afër godinës së Kuvendit kur ndodhi sulmi dhe ishte personi i parë që kishte lajmërue policinë për këtë sulm.

Ai tregoi në gjykatë se qysh ndodhi sulmi.

“Unë kam qellu aty prapa muzeut në momentin e gjuajtjes. Ka qenë mbrëmje, ora 17:00- 18:00, data nuk më kujtohet. Zhurma ishte shumë e fuqishme, a ka qenë zollë, apo mjet tjetër i shpërthimit nuk e di”, tha Metolli.

Ai tregoi se çka ndodhi ma tutje.

“Unë isha me dy shokë. Pas të shtënës ka kaluar një motor me dy persona në të. I pari nuk ka pasur helmetë, por kur ka kaluar nga ne është përpjekur që ta mbulojë fytyrën me duar, ndërsa personi i dytë ka pasur helmetë”, sqaroi dëshmitari.

Ai ma tutje përshkroi motorin, me të cilin u larguen ata që mendohet se e sulmuen Kuvendin.

“Motori ka qenë shumë i thjeshtë. Nuk kam vërejtur ndonjë specifikë tjetër, por nëse nuk gaboj ngjyra ka qenë e kuqe. Kam qenë 3 deri 5 metra larg kur ka kaluar motori. Shpejtësia ishte maksimale, besoj rreth 50 kilometra në orë”, spjegoi Metolli.

Kur u arrestuen aktivistët e Vetëvendosjes të dyshuem për sulmin në Kuvend, policia dhe prokuroria pretendonin se ata janë largue me nji motor nga vendi i ngjarjes, motor që mandej ishte gjetë i kallun.

“Unë e dija se personat të cilët i pashë ishin ata të cilët janë fajtorë për këtë të shtënë. Unë lajmërova policinë dhe i informova për atë që kisha parë. Policia më pas kishte informuar se motori ishte djegur afër ‘Taukbahçes’”, vazhdoi rrëfimin Egzon Metolli.

Dëshmitarit mandej iu kërkue nga prokurori me i përshkrue personat që kishte pa tue u largue mbas sulmit, shkruen Kallxo.com.

“Të dytë ishin të mëdhenj dhe të trashë. Drejtuesi i motoçikletës ishte pa flokë, ndërsa personi i dytë i cili kishte helmetë i kishte flokët e gjata”, tha dëshmitari.