Kjo asht kërkesa e ‘Amnesty International’ në takimin me Presidentin Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot nji delegacion të organizatës “Amnesty International”, të përbamë nga Gauri van Gulik dhe Todor Gardos, me të cilët bisedoi për reformimin e drejtësisë në Kosovë dhe përballjen me pasojat e luftës, njofton kumtesa presidenciale.

Simbas komunikatës së Presidencës, Thaçi u shpreh se institucionet e Kosovës po intensifikojnë angazhimin për m’i ndihmue të gjitha viktimat e luftës, veçanërisht familjet e të pagjetunve dhe viktimat e dhunës seksuale.

“Po punojmë të ndërtojmë përkrahje të institucioneve për viktimat e dhunës seksuale, që të inkurajohen të dëshmojnë për viktimizimin e tyne. Njisoj, po punojmë me familjet e të pagjetunve, të të gjitha komuniteteve, që të mbyllim sa ma parë krejt këto raste”, tha Thaçi.

Ai gjithashtu shtoi se, Kosova ka vazhdue konsolidimin e drejtësisë dhe se institucionet e Kosovës janë të gatshme të marrin kompetencat nga EULEX.

Gauri van Gulik nga “Amnesty International u shpreh se organizata mbetet e angazhueme në Kosovë dhe rajon, që të vëzhgoj sistemin e drejtësisë si dhe të mbështesë përpjekjet për drejtësi për viktimat.

“Me kalimin e shumë dosjeve njiherë nga UNMIK’u te EULEX, tash te organet kosovare të drejtësisë, duhet sigurue që proceset gjyqësore të mos humben apo të vonohen, por të kryhen në kohën e duhun dhe të jenë të drejta”, ka shtue ajo.

Thaçi u shpreh se reforma në drejtësi mbetet prioritet i institucioneve të Kosovës.