Kjo asht kërkesa e Selmanajt tash për AAK’n dhe Nismën

Deputeti i LDK’s, Driton Selmanaj, ka thanë se distancimi i AAK’s dhe Nismës nga PDK – parti këto që përbëjnë koalicionin PAN – do t’ishte fillimi i fundit të krizës politike në të cilën asht futë Kosova mbas zgjedhjeve të përgjithshme të Qershorit.

Përmes nji publikimi në Facebook, Selmanaj ka akuzue edhe Lëvizjen Vetëvendosje se po ban lojë perfide për vota para zgjedhjeve lokale.

 

Shkrimi i plotë i  Driton Selmanajt

 

Turpi i PAN-it dhe loja e VV-së

Edhe sot qytetarët e vendit shikuan sesi është katandisur Kuvendi i Kosovës, ku politikajt e papërgjegjshëm e kanë shëndrruar atë në teatër me shfaqje tragjiko-komike. PAN – pa fije turpi kërkon edhe 2 javë kohë shtesë. Për çka? Cila është arsyeja? Pse nuk i mjaftuan më shumë se 2 muaj e tash i kërkojnë edhe 2 javë?

Përgjigja është tejet e thjeshtë: Ata (PDK) frikësohen nga ç’pushtetizimi, ata frikësohen nga të zezat që ja bënë Kosovës nga vitit 1999, ata frikësohen se abuzimet e parasë publike do tu dalin sheshazi, ata frikësohen që shkatërrimi i pasurisë së Kosovës përmes procesit të privatizimit do ti dërgoj prapa grilave shumë nga ta, ata frikësohen se aura e pushtetit po perëndon dhe me këtë edhe perandoria kriminale do rrëzohet si piramida prej letre.

Po pse në këtë lojë hyn edhe VV? pse Albin Kurtin, sulmon Kryeministrin Mustafa? Pse VV përmes kryesuesit të Kuvendit (Adem Mikullovcit) nuk lejoj deputetët e LAA-së të flasin, kurse Kadri Veselin po? A jemi të gjithë deputet të barabartë sipas VV-së dhe Adem Mikullovcit, apo Kadri Veseli ka status special për VV-në?

Përgjigja edhe këtu është mëse e thjeshtë: VV po bën lojë perfide për një grusht votash për zgjedhjet e ardhshme lokale. Yryshja për pushtet i ka bërë hipokrit, perfid dhe irracional në qasje dhe veprime. Të tillët koketojnë edhe me djallin vetëm e vetëm për të marr një copë pushteti. Kjo ska fare të bëjë me ftesë për bashkëpunim reciprok e aq më pak për një aleancë qeverisëse për të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj.

Edhe më tutje shpresë për daljen nga kjo krizë institucionale mbetet distancimi i AAK-së dhe Nismës nga PDK. Ky do ishte fillimi i fundit të krizës politike në vend.