Kjo asht shkencëtarja shqiptare që ka luhatë teorinë e “Big Bang’ut”

Përballë saj janë nji numër i konsiderueshëm të interesuemish, kryesisht studentë, që e ndigjojnë me vemendje.

Laura Mersini-Houghton ligjëron me kompetencë, me gjallni e me elokuencë, tue ba përpjekje që edhe çashtjet kaq të ndërlikueme të astrofizikës, kozmologjisë që merren me universin, kohën e krijimit të tij, etj., me i ba sa ma të kapshme për publikun.

Ndërsa ky publik, edhe pse ka ardhe në amfiteatrin e Universitetit Teknik të Cyrihut ETH, sigurisht nuk asht i specializuem në fushën ku shkencëtarja e njohun shqiptare asht tashma autoritet në nivel planetar.

Shumica e të pranishmëve kanë ardhe nga kureshtja, me pa nji bashkatdhetare që ka ba emën në nji lami pothuej të pashkelun nga shqiptarët, në kozmologji dhe astrofizikë.

Ajo asht në Cyrih, e ftueme nga Shoqata e Studentëve shqiptarë të Cyrihut dhe portali dialogplus.

Në ligjeratën e saj, Zoja Mersini, që asht profesoreshë në Universitetin e Carolinës së Veriut, në SHBA ka shtjellue probleme lidhun me teoritë aktuale për krijimin e universit.

Në këtë kontekst ajo ka mbrojt teorinë e saj që ven në pikëpyetje teorinë e “Big Bangut”.

Sepse, dr. Mersini pyet: çka  ka pas para kësaj dhe këtë e shtjellon në Teorinë e saj të “Multiversit”, që domethanë se ka ma shumë se nji univers.

Simbas saj, teoria e Big Bang’ut asht e pamjaftueshme për me spjegue krijimin e universit. Dhe, kjo teori e kozmologes shqiptare, ka pas nji aprovim nga qarqe shkencore të avancueme në botë.

Vlen te ceket se kjo shkencetare intervisten e pare për mediat në Kosovë e ka pasë për Televizionin Rrokum.

E Albinfo.ch ka zhvillue nji bisedë të shkurtë me Laura Mersinin.

Keni ardhur në Zvicër për të ligjëruar para studentëve rreth teorisë suaj për krijimin e universit. Ju punoni në një universitet amerikan, por a keni ndonjë bashkëpunim edhe me universitete apo institute tjera zvicerane?

Dr. Laura Mersini: Në fakt unë punoj në Universitetin e Karolinës së Veriut dhe bashkëpunoj me shumë universitete e institute gjithandej nëpër botë. Por në Zvicër deri më tash nuk kam pasur rast të kem ndonjë bashkëpunim dhe në përgjithësi, është hera e parë që vij në këtë vend, ku sonte e mbajta ligjëratën. Dhe nesër në mëngjes kthehem në Amerikë.

Ju në teorinë tuaj e vini në dyshim teorinë e “big bang-ut”. Si e shpjegoni këtë me pak fjalë?

Dr. Laura Mersini: Pikërisht me atë që e thash edhe në ligjëratë e që konsiston në atë se çfarë kishte përpara kësaj, para se të bëhej “big Bang-u”. Dhe përveç meje janë edhe teoritë e dy ose tre shkencëtarëve të tjerë të cilët e vënë në dyshim “Big Bang-un” dhe mundohen të japin përgjigje të tjera lidhur me krijimin e universit.

Ballafaqimi me paskajësinë e universit (ose universeve) me errësirën që e mbështjell këtë hapësirë dhe me mungesën e përgjigjeve se si u bë “hapi i parë”, a ju sjell pranë “zgjidhjeve” që u jep religjioni këtyre çështjeve?

Dr. Laura Mersini: Një nga mënyrat për ta hequr problemin e “hapit të parë” është universi që studiohet me metoda shkencore dhe që këtu bëhet ndarja nga religjioni. Dmth as mohohet as pohohet por shkenca është një tjetër nivel, tjetër rrafsh, ajo ka objekt studimi ligjet e natyrës. Dhe në këto studime ka saktësi, proceset janë absolutisht të matshme. Kjo vlen edhe për pohimin se multiversi është krijuar para 14.7 bilionë vitesh, që u përmend gjatë ligjëratës.

Është folur në mediat shqiptare lidhur me nominimin tuaj për çmimin Nobel për fizikë. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj?

Dr. Laura Mersini: Sipas rregullit, nominimet për çmimin Nobel nuk dihen asnjëherë para se të jepet çmimi. Prandaj edhe në rastin tim nuk mund të them asgjë pasi që nuk e di nëse jam nominuar ose jo. Por dihet që nga anët tona kanë dëshirë të mburren me diçka para se të ndodhë. Kjo ka ngjarë mbase edhe në rastin tim, pra janë spekulime mediale.

Ju studimet bazë i keni mbaruar në Shqipëri, në Universitetin e Tiranës. A është ky fakt një shtysë, një motivim shtesë për studentët shqiptarë që të synojnë më shumë, të kenë ambicie shkencore?

Dr. Laura Mersini: Sigurisht që po. Me zell dhe punë është e mundur të arrihet shumë, edhe me studime të mbaruara në Shqipëri. Unë kam mbaruar studimet pesëvjeçare të Fizikës në Tiranë, që është një kurs paksa më i përzgjedhur. Ideja e fizikës pesëvjeçare është që të punohet në mënyrë më intensive por jo që kam pasur ndonjë trajtim të veçantë. Pastaj shkallët tjera të studimit e të specializimit përfshirë edhe gjithë avancimin tim shkencor, i kam mbaruar jashtë vendit, në SHBA.