Koalicioni me AAK’n po e damton Nismën

Vendimi për me hy në koalicion parazgjedhor me AAK’n po e damton Nismën për Kosovë, disa ditë mbas dorëheqjes së kryetarit të degës në Viti, Xhevat Bislimi, Nisma përjetoi edhe dy goditje të tjera.

Bahet fjalë për kryetarin e degës në Drenas, Izet Ibrahimi, anëtarët e Këshillit Iniciues dhe nënkryetarin e po kësaj dege Shemsi Elezi, të cilët njoftuen sot dorëheqjen.

Dega e Nismës në Drenas, dikur “Iniciativa Qytetare”, bashkë me degën e Malishevës, si dhe atë të Prizrenit, kanë qenë tre shtyllat kryesore të themelimit të Nismës rreth 2 vjet ma parë.

Madje, Drenasi ka qenë bastioni i vërtetë i kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ndërsa vetë Izet Ibrahimi, ndër njerëzit ma të afërt të Krasniqit që nga koha kur ai ende nuk ishte shkëputë “de jure” nga PDK.

Mirëpo vetë Izet Ibrahimi, në nji bisedë telefonike për Televizionin Rrokum, tha se largimi i tij nuk ka lidhje me ndonji mosmarrëveshje eventuale me Jakup Krasniqin.

Simbas tij, koalicioni AAK- Nisma asht njana prej arsyeve kryesore e shkatërrimit të frontit opozitar dhe vendimit të tij për dorëheqje.

Ai shtoi se diskutimet për vendimin për dorëheqje kanë nisë ne tash e dy javë me kriimin e koalicionit mes AAK’s dhe Nismës dhe se elementi kohë në këtë rast, asht i parandësishëm.
Dorëheqja e Ibrahimit u përcoll me dorëheqjen e mbas disa orëve të nënkryetarit të Nismës, Shemsi Elezi, i cili asht i pakënaqun me koalicionin e arritun ditë ma parë mes Nismës dhe AAK’s.
“Ka qenë vendim i nxituem dhe për këtë nuk asht pyet askush”, ka thanë Elezi, tue iu referue vendimit për koalicion mes dy partive.

Kohëve të fundit, levizjet e antarëve të partive opozitare kanë qenë të shpeshta, përfshi largimin e Donika Kadaj Bujupit nga AAK, Ilir Dedës nga Vetëvendosje e Xhevat Bislimit e Izet Ibrahimit nga Nisma.