Konventa e Partisë Demokrate në SHBA u hap nga nji shqiptaro-amerikane

Veprimtarja e njohun shqiptaro-amerikane, Tanya Domi ka mbajtë nji fjalim dhe asht zgjedhë të ulet në panelin e seancës së parë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate në SHBA.

Të mbledhun në Philadelphia, delegatët demokratë zyrtarizojnë kandidaturën e Hillary Clinton për Presidente të Shteteve të Bashkueme.

Seanca e parë i kushtohej komuniteteve etnike dhe Tanya Domi asht bashkë-kryetare e Kaukusit Etnik.

Veterane e ushtrisë amerikane dhe lektore në Columbia University, Tanya u foli Demokratëve në mënyrë emocionale për dashninë e gjyshes së saj shqiptare dhe randësinë që ka vlerësimi i rolit të emigrantëve në historinë e Shteteve të Bashkueme si dhe në ditët tona.

Ajo foli edhe për gratë dhe për anëtarët e komunitetit LBGT në ushtri dhe si veteranë në shoqninë amerikane.