Kosova dhuron abetare për shqiptarët e Malit të Zi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Genci Nimanbegu priti në takim zavendësministrin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Agim Bërdyna, të cilët për të dytin vit me radhë dhuruen abetaret për nxanësit e klasës së dytë të shkollave shqipe në Mal të Zi.

Këtë vit, Kosova ka dhurue 260 abetare për këta nxanës, ndërsa për dallim nga viti i kaluem, këtë vit MASHT ka dhurue edhe 220 abetare pune si dhe 120 libra për mësuesit, në të cilat shpalosen metodologjitë e mësimit.

Ky donacion vjen dhuratë e bashkëpunimit ndërinstitucional të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal te Zi dhe Ministrisë së Arsimit së Kosovës.

Bërdyna, siç raporton TV Teuta në Mal të Zi, tha se bashkëpunimi vazhdon edhe këtë vit me qellim që nxanësit që mësojnë në gjuhën shqipe të mos hasin në pengesa në arsimimin dhe kulturën kombëtare.

Ndërkaq, Nimanbegu tha se kjo asht dëshmi e bashkëpunimit ndërinstitucional, të cilat në fushën e arsimit nuk mungojnë.

“Kosova asht gjithmonë pranë nxanësve shqiptarë të Malit të Zi. Na kemi ngritë zanin dhe tekstet shkollore duhet të përmirësohen dhe të jenë adekuate për nxënësit shqiptarë”, shtoi Nimanbegu.