Kosova fiton ndaj Serbisë: Reciprocitet në Dogana

Mbas 20 orë bisedimesh me ndërmjetësimin e BE’s në Bruksel, rreth orës 3:30 mbas mesnate asht arritë marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallnave të rrezikshme ADR në mes të Kosovës dhe Serbisë, simbas konventës së OKB’s.

Këto detaje i ka ba publike përmes nji komunikate për media ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila theksoi se kjo marrëveshje konfirmon se Serbia ka njoftë shtetin e Kosovës në fushën e transportit të mallnave të rrezikshme.

Marrëveshja hynë në fuqi nga data 25 Prill 2016, si dhe zbatimi i saj asht i garantuem nga Bashkimi Europian si ndërmjetëse e dialogut të Brukselit. Por njohja reciproke e ketyne certifikatave s’asht e vetmja marrveshje e arritun sot.

Në takime asht bisedue për çashtjen e hyrjeve dhe daljeve në Kosovë me letërnjoftime ilegale të lëshueme nga strukturat paralele, për të cilën ministrja Tahiri theksoi se masat e ndalesës për këtë çashtje Kosova i ka marrë në dhjetor të vitit të kaluem dhe tani më 18 prill, sepse qytetarët serb në Kosovë të pajisen me lejet e njoftimit të Republikës së Kosovës përndryshe do t’u ndalet qarkullimi, BE-ja ka kërkue që të krijohet nji hapësirë kohore tranzicioni në mënyrë që edhe ky problem të zgjidhet sa ma shpejt, ashtu siç u zgjodh edhe çashtja e njohjes reciproke e certifikatave të ADR’s“, thuhet në njoftimin e ministres Tahiri.

Në njoftim gjithashtu thuhet se drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric, ka kërkue falje për hymje në Kosovë në mënyrë ilegale me 15 Prill dhe se mbas kërkim faljes së Djuric dhe me kërkesë të Bashkimit Europian, që palët të angazhohen për frymën e normalizimit, palët janë zotue që të respektohet marrëveshja për vizitat reciproke të zyrtarëve si dhe deklarimet duhet në mënyrë rigoroze të respektojnë frymën e normalizimit të marrëdhanieve mes dy shteteve.

Por nënshkrimi i kësaj marrveshjeje asht përcjellë me reagimin e tri partive ma të mëdha opozitare.

E para që ka reague asht Aleanca për Ardhmëninë e Kosvës, e cila kërkon nga Qeveria sqarim të sakt të marrëveshjes së arritun si rezultat i bisedimeve në Bruksel.

Njoftimet se në Bruksel asht arrit marrëveshja për validitetin e letërnjoftimeve ilegale të lëshueme nga strukturat paralele serbe të Kosovës, qoftë edhe për nji fazë, si thuhet tranzicioni, asht nji lëshim tepër i randë i qeverisë së Kosovës. Për ma tepër, kjo asht lëshuemje pe ndaj kërkesave gjithnjë e më agressive të palës serbe në bisedimet e Brukselit“, thuhet në komunikatën e AAK’s.

Ndërkohë në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, thuhet se asnji marrveshje që legalizon dokumentet e lëshueme nga strukturat ilegale të Serbisë nuk ka me u pranue nga qyetatërt e vendit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! asht shumë e shqetësueme me zhvillimin e bisedimeve të fundit në Bruksel. Ato i ka karakterizue nji mungesë e madhe transparence. Ne e dimë nga historiku i negociatave se mungesa e transparencës përveç që asht problem në vete, asht indikacion për përmbajtjen e damshme të rezultatit. Kështu ka qenë me të gjitha marrëveshjet e nënshkrueme deri tash, nga Plani i Ahtisaarit deri tek Marrëveshja për “Zajednicën”. Ku nuk ka pasë transparencë në fillim, s’ka pasë as llogaridhënie pastaj”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Reagim ka ardhë edhe nga Nisma për Kosovën, e cila ka thanë se kjo asht nji lëshim tepër i randë i Qeverisë së Kosovës, dhe gjunjëzim i radhës karshi Serbisë.

Ndërkohë në mediat serbe ku citohet Marko Djuric, thuhet se ID kartelat e lëshueme nga autoritetet serbe kanë me vazhdue me u përdorë, por se bisedimet për ID kanë me vazhdue.

Bisedimet ishin të gjata dhe të vështira, por besoj se kemi arritë marrveshje të mirë për vendin tonë dhe qytetarët serb në Kosvoë dhe Metohi, tha Djuric për Tanjug.