Kosova i tutet ratifikimit të marrëveshjes për tregti të lirë me Turqinë

Kosova e ka lanë në sirtarë, të paratifikuem, marrëveshjen për tregti të lirë më Turqinë, që nga viti 2013, përderisa shteti turk e ka ratifikue marrëveshjen qysh moti.

Marrëveshja për tregti të lirë më Turqinë, simbas ekspertëve, vnon në pah disbalancet tregtare mes dyja shteteve, marrë parasysh fuqinë e madhe ekonomike e tregtare që ka Turqia në krahasim me Kosovën.

Eksportet e këtij shteti në Kosovë në vjet kapin vlerën e rreth 250 milionë euro, derisa eksportet e Kosovës në Turqi nuk janë ma shumë se rreth 10 milionë euro, simbas të dhanave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Turqia gjatë vjeteve të fundit, po ashtu, asht shteti i cili ka realizue pjesën ma të madhe të investimeve në Kosovë. Vetëm në vitin 2015, simbas të dhanave të Bankës Qendrore të Kosovës, Turqia ka investue në Kosovë mbi 57 milion euro.

Ndërkohë që marrëveshja për tregti të lirë me Turqinë e nënshkrueme në vitin 2013, por e cila nuk asht ratifikue ende në Kuvendin e Kosovës, besohet se ka me i rritë këto shkëmbime tregtare.