Kosova me numrin ma të madh të Zavendësministrave (foto)

Organizata joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’ ka prezentue nji grafikë ku kallxohet madhësia e qeverive të rajonit.

Tue krahasue numrin e ministrive, zavendësministrave si dhe numrin e banorëve, del se Kosova prinë në vendet e rajoneve me numër të ministrive dhe zavendësministrave.

“Në vitin 2016 në kategorinë paga dhe mëditje, në total të gjitha ministritë kishin shpenzue ma shumë se 225 milionë euro, tue qenë nji barrë jashtëzakonisht e madhe për buxhetin e shtetit.”, thuhet në njoftimin e DnV.

Simbas DnV’s, ndamja e pushtetit në mes subjekteve politike dhe koalicioneve për me udhëheq me shtetin, ka ba që në mënyrë graduale të rritet numri i ministrive nga mandati në mandat, tue krijue dikastere qeveritare të panevojshme.

“Sakaq, edhe në proporcion me numër të banorëve, Kosova renditet menjiherë mbas Malit të Zi, ndërsa në raport me Maqedoninë që ka përafërsisht numër të njajtë të banorëve, ka konsiderueshëm numër ma të madh të ministrive”, bahet e ditun nga ‘Demokracia në Veprim’.

DnV rekomandon që të zvogëlohet numri i ministrive si dhe të riorganizohen disa të tjera, në mënyrë që të bahet lehtësim për buxhetin e vendit dhe për me kursy paranë publike.

Simbas organizatës, Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron mbrapa qeverive të rajonit edhe më përfshimjen e grave në Qeveri: me vetëm dy gra të emnueme si Ministre.

 

Shperndaje në: