Kosova në UEFA: Kështu shkruhet historia

Që nga sot, Republika e Kosovës asht anëtarja e 55 me të drejta të plota e shtëpisë ma të madhe të futbollit europian, UEFA.

Nga 28 vota sa i duheshin Kosovës për me u pranue në institucionin ma të naltë të futbollit në botë, 28 shtete votuen pro, 24 kundër dhe dy abstenime.

Në Kongresin e mbajtun sot në Budapest, me kërkesë të Zvicrës, ndryshimi i amandamenteve në statutin e UEFA’s u ba me votim të fshehtë.

Por rrugëtimi i Kosovës drejt këtij institucioni nuk ishte i lehtë as sot. Kjo mbasi në kongres u votue kundër ndryshimit të statutit që parasheh se në UEFA munden me u pranue vetëm vendet anëtare të Kombeve të Bashkueme, por Kosova u pranue edhe pse nuk ka ulëse në këtë organizatë.

Kjo mbasi zyrtari ligjor i UEFA’s anglezi Alasdair Bell, i rrëzoi krejt pengesat ligjore kundrejt Kosovës.

“Kombet e Bashkueme nuk kanë kompetencë për t’i njohur shtetet, por shtetet i njohin shtetet. Nëse nuk je anëtar i OKB nuk do të thotë se nuk je shtet. Katër kriteret e të qenit shtet janë përcaktimi i territorit, popullata, Qeveria dhe aftësia për të arritur marrëveshje me të tjerët”, tha ndër të tjera Bell, gjatë fjalimit i cili për nji kohë të gjatë ka me u mbajt mend nga kosovarët.

Bell ma vonë u citue edhe nga Ambasada Amerikane në Kosovë, e cila uroi vendin tonë për këtë sukses.

Kryetari i Federatës së Futbollit Fadil Vokrri, e cilësoi Kongresin si mjaft sfidues.
Urime për këtë hap historik të Kosovës kanë ardhë nga pothuejse krejt liderët e vendit. E nji urim teper i veçantë ishte edhe ai i Kryeminsitrit të Shqipnisë, Edi Rama.

Fitorja e Premier Ligës së Leicester City’it dhe pranimi i Kosovës në UEFA, mua më rikujtojnë pse e dua futbollin. Nji javë e madhe për sportin, kështu shkruen ambasadori britanik në Kosovë Ruari O’Conell.

E për Zv/Presidenten e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, kjo i jep fund izolimit të sportistëve dhe qytetarëve të Kosovës.

Por krahas liderëve vend e atyne të rajonit, Kosova ka pranue edhe nji urim shumë të papritun.

Kryetari i federatës së futbollit Fadil Vokrri ka konfirmue se homologu i tij nga Federata e Futbollit të Serbisë, Tomislav Karadzic, ka urue Kosovën për anëtarësim në UEFA.

Ndërkohë, aleati tradicional i Serbisë, kërkon respektimin e Kongresit të UEFA’s.

Ministri rus i Sportit tha se vendi i tij votoi kundër anëtarësimit të Kosovës, por se duhet të respektohet dhe njihet vendimi i shumicës, derisa nuk ka ba asnji koment mbi pretendimet e palës serbe se u shkel statuti i UEFA’s.

Por megjithatë Serbia ka paralajmërue ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

Në nji konferencë të përbashkët për media këtë e kanë paralajmërue drejtori i zyrës për Kosovën, Marko Djuric dhe ministri i Sportit, Vanja Udovicic.

“Shteti ka me i ndihmue federatës sportive, në mënyrë që ky vendim mos me kalue lehtë dhe ashtu qysh e kanë paramendue separatistët”, tha Djuric.

Udovicic dhe Djuric vlerësuen se me vendimin e Kongresit të UEFA asht shkelë e drejta dhe Statuti i UEFA’s, kurse sporti u vu’ në funksion të politikës.

Ndërsa ministri i jashtëm serb, Ivica Daci tha se pranimin e Kosovës në UEFA e mundësuen ata që ia sponsorizuen pamvaresinë.

E sigurisht që urime nuk kanë pasë si me ardhë edhe nga medie serbe.

Gazeta serbe “Blic”, pranimin e Kosovës në UEFA e ka cilësue si “TURP”. Ata këtë pranim e kanë konsiderue në kundërshtim me statutin e kësaj organizate, tue përmendë votimin e fshehtë.

Media serbe të gjithë arsyetimin e saj e mbështet te ndryshimi i dështuem i statutit të UEFA’s në pikën e 7 të kongresit të sotëm. Edhe për Kurir, pranimi i Kosovës në këtë organizatë asht skandaloz.

Ndëkohë gazeta e sportit Blick në Zvicërr, shkrimin për pranimin e Kosovës në UEFA e nisë me titull: Kosova në UEFA, po Xhaka dhe Shaqiri, çfarë kane me ba tani?

Kundërshtimi i pritun serb nuk e zbehë randësinë e lajmit për pranimin e Kosovës në UEFA. Ky lajm u raportue nga mediet ma të mëdha në botë si Reuters, Associated Press, The Guardian, BBC e shumë të tjera.