Kosova nisi zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE

Firmat u hodhën me 27 Tetor të vitit të kaluem, por vetëm sot, me 1 Prill 2016, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian, po hyn zyrtarisht në fuqi.

Dy prej nëshkruesve të kësaj Marrëveshjeje, Shefja për Politikë të Jashtme të BE’s, Frederica Mogherini dhe Eurokomisionier për Zgjanim, Johannes Hahn e përshëndetën nisjen e zbatimit të MSA’s tue premtue mbështetjen e institucioneve të BE’s për implementimin e saj¸si nji rrugë për afrimin e Kosovës me BE’n.

Randësinë e marrëveshjes së parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE’s e dëshmoi edhe prania e Kryeministrit dhe nji pjese të Qeverisë në ceremoninë e mbajtun në Drejtorinë e Përgjithshmë të Doganave, ku u tha se prej kësaj dite, dogana avancon drejt nji niveli ma të naltë të profesionalizmit dhe të llogaridhanies ndaj institucioneve të vendit.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, e siguroi Kryeministrin e vendit se oficerët janë të gatshëm dhe të motivuem me e dëshmue profesionalizmin e tyne përkrah institucioneve të BE’s.

Ndërsa Kryeministri Isa Mustafa, nisjen e zbatimit të MSA’s e cilësoi fillimin e nji kapitulli të ri për shtetin tone, për me kalue në nji fazë te re të zhvillimit social, politik e ekonomik.

Për profesionalizmin e Doganave foli edhe kryetari i Odës Ekonomike, i cili asht i sigurtë se ekipi i Doganës ka me vazhdue me qenë shembull në zbatimin e Marrëveshjes.

Ndërsa Oda Ekonomike Gjermane e vlerëson fillimin e zbatimit të MSA’s si hapin ma të randësishëm mbas shpalljes së pamëvarsisë.

Mirëpo të pyetun nga Televizioni Rrokum, dy prej organizatave tjera të mëdha të biznisit vendor, Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Bizniseve, nuk dhanë asnji qëndrim për MSA’n. Madje, kryetari i AKB’s, tha se nuk i din ende efektet e kësaj Marrëveshjeje.

Por nisja e zbatimit të MSA’s u mirëprit edhe nga Këshilli i Investitorëve Europianë, që përmes drejtorit egzekutiv Shpend Balija. Ai i referohet nenit 98 të MSA’s, që parasheh mbrojtjen e investimeve të hueja direkte dhe përmirësimit të klimës së të bamit biznis.

Ndërsa organizata ma e re e biznisit në vend, Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kërkuen prej institucioneve përgatitjen e bizniseve për konkurrencën që i pret në tregun europian.

Hymjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje e ka përshëndetë edhe Presidenti i zgjedhun, Hashim Thaçi, për të cilin, vendin tonë e pret nji punë ma e madhe në çdo fushë të jetës.