Kosova vazhdon me avazin e vjetër. Këto janë shifrat e eksportit dhe importit

Kosova vazhdon me avazin e vjetër. Në Kosovë importohet shumë dhe eksportohet pak.

Deficiti tregtar i Kosovës po thellohet nga mueji në muej. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në publikimin e saj thotë se në muejin Shtator Kosova shënon nji deficit ma të naltë tregtar.

“Të dhanat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë kallxojnë për nji deficit tregtar ma të naltë për (2.2%) në muejin Shtator 2016, në raport me periudhën e njajtë të vitit 2015, gjegjësisht në vlerë prej 211,0 milionë € krahasue me deficitin 206,4 milionë € ne vitin 2015. Eksporti mbulon importin (9.3%),” thuhet në publikim.

Në bazë të të dhanave të ASK’s, eksporti i mallnave në muejin Shtator kishte vlerën 21,6 milionë euro, ndërsa importi 232,6 milionë euro. Kjo tregon nji ranie prej (-11.2%) për eksport si dhe nji rritje prej (0.8%) për import në krahasim me periudhën e njajtë të vitit të kaluem.

Metalet bazë dhe artikujt e tyne me 32.3 për qind dominojnë në eksportin e muejit që lamë mbas.

“Simbas të dhanave të grupeve kryesorë të eksportit: (32.3%) e përbajnë metalet bazë dhe artikujt prej tyne, (13.7%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyne, (11.6%) produktet minerale, (11.1%) ushqimet e pregadituna, pijet dhe duhani, (8.9%) produktet bimore, (3.3%) artikuj të ndryshëm të prodhueme, (3.0%) makineri, pajisje mekanike dhe elektrike, (2.9%) tekstil dhe artikuj tekstili etj,” shpjegohet në publikim.

Simbas publikimit, Kosova importon ma shumë ushqime të pregadituna pije e duhan.

“Ndërsa, simbas të dhanave të grupeve kryesorë për import: (13.1%) të importit e përbajnë ushqimet e pregadituna, pijet dhe duhani, (12.5%) produktet minerale, (10.9%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (9.9%) metalet bazë dhe artikujt prej tyne, (8.4%) produkte të industrisë kimike, (7.3%) mjetet e transportit, (6.5%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyne etj,” bahet e ditun në publikim.