Kosovarët janë në zemër të Europës

Nji ditë mbas rekomandimit të Komisionit drejtue Parlametit dhe Këshillit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën, në Prishtinë erdhën dy prej drejtuesve ma të naltë të Komisionit Europian.

Federica Mogherini, Përfaqësuese e Naltë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Dimitris Avramopoulos, Komisioner i BE për Emigrimin, Punët e Mbrendshme dhe Shtetësinë, i nisën takimet në Kosovë me Kryeministrin Isa Mustafa.

Por disa punëtorë të ish-Fabrikës së Tubave në Ferizaj, kishin gjetë bash këtë moment për me protestue për të drejtat e tyne.
Megjithatë, Mustafa u priu mysafirëve në ndërtesën e Qeverisë në nji takim gati 1 orësh, për të cilin Kryeministri tha se ishte i frytshëm.Ndërsa Mogherini, mbas urimit për vizat, tha Demarkacioni me Malin e Zi duhet ratifikue patjetër, e po ashtu, për të mirën e vendit, duhet me vazhdue edhe dialogu me Beogradin.

“Kryeministri e di mirë se dialogu asht për të mirën e Kosovës dhe se marrëveshjet e arritura duhen zbatue nga të dy vendet. Por për nivelin e dialogut, nuk kemi diskutue ende dhe nuk e di nëse Beogradi asht informue dhe asht gati me e ngritë dialogun në nivel të Presidentëve”, tha ajo.
Nga ana tjetër, i pyetun për mundësinë e abuzimit të lëvizjes së lirë nga qytetarët e Kosovës, Komisioneri për Emigrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos tha se kjo punë i mbetet në dorë autoriteteve kosovare.
“Lëvizja e lirë shoqnohet me disa obligime dhe pa dyshim që autoritet kosovare kanë me nisë fushatën për mos me lejue abuzim me lëvizjen e lirë. E kjo përgjegjësi i mbetet autoriteteve kosovare”, tha ai.
Mbas kësaj Përfaqësuesja e Naltë e Bashkimit Europian, Frederica Mogherini u takue me Presidentin e Republikës, Hashim Thaçi.

Ndërsa para se me shkue në seancën solemne të Kuvendit, ajo u prit edhe nga kryetari Kadri Veseli, e aty morën pjesë edhe përfaqësues të të tri partive opozitare.