Kosovë: Aktakuzë ndaj nji pjesëtari të ISIS

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritë aktakuzë kundër të pandehunit L. R., për shkak se ka krye vepër penale, organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste.

Simbas aktakuzës i pandehuni me 6 Korrik të vitit 2014, me qëllim të bashkimit në organizatën terroriste ISIS, kishte shkue në Turqi përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në linjën Prishtinë – Stamboll.

“Ndërsa, më datë 11 apo 12 Korrik 2014, nën organizimin e disa shtetasve turqë kishte kalue në mënyrë ilegale kufinin Turqi – Siri, dhe asht vendosë në nji kamp ushtarak në qytetin Jarabulus – Aleppo të Sirisë, i udhëhequn nga grupi terrorist i quejtun ‘ISIS’, ku ka qëndrue rreth dy javë, dhe gjatë kësaj kohe kishte ndjekë ligjërata mbi Sheriatin dhe rregullat e ISIS’it, dhe mandej ishte dërgue në nji kamp ushtarak në qytetin Raqqa të Sirisë të udhëhequn po ashtu nga grupi terrorist ‘ISIS’”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

I pandehuni L.R., ma vonë ishte dërgue në qytetin Falluxha të Irakut, i kontrolluem po ashtu nga grupi terrorist “ISIS”, ku kishte krye trajnimin ushtarak nji ditor mbi përdorimin e armëve të zjarrit dhe mandej me qëllim të ofrimit të ndihmës së parë mjekësore ushtarëve të plagosun ishte dërgue në nji nga spitalet e këtij qyteti, dhe gjatë shërbimit të tij si pasojë e sulmeve ajrore mbi objektin e spitalit, i njajti kishte marr plagë të randa trupore.