KQZ refuzon kerkesën e QUINT’it që OSBE me vezhgue zgjedhjet!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzue që OSBE me monitorue krejtësisht zgjedhjet e parakohshme të së Diellës, në Drenas.

Nji gja të tillë, ishte kërkue nga ambasadorët e vendeve të QUINT’it t’akredituem në Prishtinë, përmes nji letre të firmosun nga diplomati britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Megjithatë, Komisioni Zgjedhor u ka mundësue vëzhguesve nderkombëtarë, që vetëm si vëzhgues të rregullt të KQZ’s me qenë pjesë e këtij procesi, përmes zgjatjes së afatit t’akreditimit, deri të Shtunën.

 

Kjo asht komunikata e plotë e KQZ’s:

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vlerëson të nevojshme të njoftojë se ka pranuar kërkesën nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar i akredituar në Kosovë, shkelqësia e tij, z. Ruairi O’Connell, e shkruar edhe në emër të përfaqësuesve të katër shteteve mike të Republikës së Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përgjigje të kësaj kërkese, e çmon lartë interesimin e shprehur, por edhe ndihmën e vazhdueshme që këto shtete kanë dhënë për Republikën e Kosovës dhe për institucionet e saj, me theks të veçantë për ndihmën e dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në këtë drejtim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të shtyjë deri ditën e shtunë (03 dhjetor) afatin për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë për të vëzhguar Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit (Gllogocit) që do të mbahen më 04 dhjetor 2016, konform dispozitave ligjore për rolin e vëzhguesve të zgjedhjeve.

Kurse, lidhur me kërkesën specifike, KQZ-ja, duke u mbështetur edhe në ligjet në fuqi, njofton se nuk ka pasur asnjë pengesë që këtë proces, ndonëse i jashtëzakonshëm, ta implementojë deri në fund me sukses të plotë.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i pavarur i përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk ndërhyn në çështjet politike nga cilido drejtim që ato mund të shfaqen dhe as në problemet e sigurisë. Janë institucionet e caktuara të vendit, që kanë përgjegjësitë e ndara, përfshirë edhe gjatë zgjedhjeve.

Në fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të njohur se ka arritur shkallë të lartë mobilizimi në përgatitjet dhe implementimin e proceseve zgjedhore, ngjashëm edhe lidhur me procesin e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit (Gllogocit).