Krasniqi: Penguesit e vetëm të liberalizimit të vizave – qeveritarët

krasniqiiiii

Kryetari i Këshillit Kombëtar në NISMA për Kosovë, Jakup Krasniqi, i asht përgjigje nji deklarate të Presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se “askush me asnjë agjendë ditore nuk mund të cenojë procesin e liberalizimit të vizave”.

Krasniqi në nji reagim dërguem mediave, tha se kësaj deklarate, nji njeri me aftësi mesatare politike dhe intelektuale kishte me i shtue edhe “përveç qeveritarëve të Kosovës”.

Në këtë mënyrë, Krasniqi tha se pengues të vetëm të liberalizimit të vizave janë vetë qeveritarët dhe, si theksoi ai, jo vetëm të këtij procesi.

Shkrimi i plotë i Krasniqit:

Kur njeriu me aftësi mesatare politike dhe intelektuale i dëgjon qeveritarët tanë të thonë se: “askush me asnjë agjendë ditore nuk mund të cenojë procesin e liberalizimit të vizave”, do t’i shtonte, përveç qeveritarëve të Kosovës. Me ketë konstatim të plotësuar do të pajtohesha plotësisht, por duhet cekur se penguesit kryesor, mbase edhe të vetmit janë qeveritarët tanë. Nuk ka asnjë dyshim se penguesit kryesor të çdo progresi në jetën institucionale, publike, ekon omike e shoqërore në Republikën e Kosovës, janë vetë qeveritarët (të parët e institucioneve).
Pse qeveritarët janë penguesit kryesor, jo vetëm për liberalizimin e vizave?
Janë këta qeveritarë që me akrobaci të ndryshme kanë penguar sundimin e rendit e të ligjit, kanë politizuar e defunksionalizuar çdo institucion të pavarur të shtetit, kanë penguar zhvillimin ekonomik të vendit, nuk kanë krijuar ambient të përshtatshëm për investime të jashtme, kanë politizuar e paaftësuar funksionimin e Sistemit të Drejtësisë, kanë rrënuar Sistemin e Arsimit publik e privat (sidomos Arsimin e Lartë), kanë rrënuar shëndetin publik, kanë degraduar Ambientin dhe Planifikimin hapësinor. Me të gjitha këto veprime të numëruara e shumëçka tjetër të pa cekur këtu, këta qeveritarë, janë përgjegjësit kryesor të ngecjes së shumë proceseve progresive e zhvillimore, përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave, ndonëse liberalizimi i vizave nuk është nder më kryesori i nevojave imediate të qytetarëve, ngase nuk ka çështje më imediate për qytetarët tanë sesa siguria për punë e jetë të dinijtetshme.
Po t’i dëgjojmë e lexojmë deklaratat e qeveritarëve dhe te Presidentit, nuk është e vështirë të shihet se këta njerëz nuk donë të dinë se çka është Kushtetuta e ligjet. Këta njerëz, po thuajse pa përjashtim, punën e demarkacionit e quajnë punë të mbyllur, kur dihet fare mirë se kjo çështje mund të quhet e mbyllur vetëm kur ratifikohet me dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa ratifikimi në Kuvend nuk ka ndodhur. Atëherë si ka mundësi që demarkacioni të jetë “çështje e mbyllur”?! A nuk është kjo përpjekje e tyre për t’ia imponuar Kuvendit vullnetet e tyre personale?
Atëherë pse këta çështjen e demarkacionit e quajnë të mbyllur?

Natyrisht, Presidenti i zgjedhur në një situatë të shtetrrethimit, që mban përgjegjësinë kryesore të nënshkrimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, nëse nuk do të kalonte ratifikimi e të rishikohej demarkacioni, ku do të vëreheshin lëshimet e Komisionit Qeveritar, Presidenti do te duhej të dorëhiqej, prandaj ai ketë çështje vrapon që ta quaj “çështje të mbyllur”. Për të tillë qeveritarë, nuk ka rëndësi sesa humbë territor Republika e Kosovës, e rëndësishme është që gjithçka në Kosovë të jetë në shërbim të tyre?! Vërtetë, është për një studim dhe analizë të shumanshme shkencore, pse Presidenti vazhdon të prononcohet më shpejtësi marramendëse për këto çështje: për demarkacionin, për “zajednicen”, për pronën e grabitur të deçanasve nga Gjykata Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, për mbështetjen e aksioneve spektakulare të prokurorisë, për pastrimin e listave zgjedhore nga të akuzuarit e të dënuarit e tjerë?! Apo mos po mendon ai s e e gjithë historia e tij politike filloj nga dita kur u bë President?!
Çka tregon kjo?
Kjo tregon se tani edhe Kryetari i Kuvendit, si Presidenti dhe Kryeministri, është duke ecur ngadalë por sigurt në gjurmët e tyre (sidomos të Presidentit). Këta njerëz nuk janë në pozitat që i kanë marrë, sido që i kanë marrë (me korrupsion a presione të ndryshme), për t’u shërbyer vetëm interesave të tyre personale a grupore, por janë aty që gjithçka e çdo gjë ta bëjnë në interes të kombit e të shtetit. Përkundrazi, këtyre njerëzve nuk po i intereson sesa territor po humbë Kosova, sesa antikushtetuese janë marrëveshjet e 25 gushtit 2015, sesa sovranitet humbë Kosova në këto makinacione të rrezikshme për të ardhmen e shtetit, e rëndësishme është që ata ta ruajnë pushtetin e tyre personal, qoftë edhe duke i eliminuar të gjithë bashkëpunëtorët e djeshëm apo të sotshëm të tyre! Këta, jo vetëm që po e shkelmojmë çdo vlerë të djeshme, por, po e rrezikojnë çdo perspektivë të ardhshme të kombit!
Këtyre njerëzve nuk duhet t’ua kemi frikën për fatet tona personale ( ketë e duan ata, që të na sundoj frika), se frikën edhe në robëri e kishim, pasi shpesh ecëm edhe nëpër tehun e shpatës. Këtyre njerëzve frikën duhet t’ua kemi për vijëzimin e parametrave të rrezikshëm për të sotmen e të ardhmen e kombit e të shtetit!